Ministri i Financave, Hekuran Murati njëjtë si shefi i tij, Albin Kurti, para pak muajve deklaronte se më katër mars duhet të zgjidhet presidenti i vendit ose të shpërndahet Kuvendi.
Ai i kishte bërë këto deklarata më 25 dhjetor në një intervistë në Kanal10.
“Me datën 4 mars na duhet me zgjedh presidentin apo presidenten e re. Nëse nuk zgjidhet, duhet me u shpërnda Kuvendi, apo jo?” – kishte thënë ai.
Në një konferencë për media, Kurti të premten deklaroi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues
Ai bëri thirrje që të pritet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përben edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbar e mirë si gjithnjë”, ka thënë Kurti.






