Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka komentuar kërkesën e kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se “nuk mashtrohet kush me ato letra”, duke i akuzuar këto parti për bllokim të fondeve ndërkombëtare.
“Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, të njëjtit që nuk e votuan Planin e Rritjes së BE-së në vlerë 882 milionë euro, i paskan shkru letër BE-së duke kërku gjoja me ja heqë masat Kosovës. Tek tash kur e panë që ky mos-votim ka me u kushtu me humbje të votave, po bëhen gjoja po brengosen për shtetin. Nuk mashtrohet kush me ato letra jo. Ju me mos-votimin tuaj ia mohuat ekonomisë së vendit 882 milionë euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Gjatë ditës, Lumir Abdixhiku i LDK-së njoftoi se i ka shkruar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Sipas tij, vazhdimi i masave është i pajustifikuar dhe me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Ngjashëm pati vepruar ditë më parë edhe Bedri Hamza i PDK-së.






