Në një reagim në rrjetin social Facebook, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka hedhur poshtë pretendimet e deputetit Avdullah Hoti rreth përkeqësimit të ambientit të të bërit biznes në Kosovë.
Deputeti Hoti kishte cituar një studim të institucionit të njohur hulumtues Riinvest, sipas të cilit situata e biznesit në vitin 2023 është përkeqësuar krahasuar me vitin 2017 në disa indikatorë kyç.
Ministri Murati ka reaguar duke argumentuar se disa nga të dhënat dhe përfundimet e studimit të Riinvestit nuk përputhen me gjendjen faktike.
Ministri madje ka hedhur akuza ndaj Riinvestit duke thënë se “ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes“.
Reagimi i plotë:
Deputeti Avdullah Hoti paska bërë një reagim në Facebook duke pretenduar se ambienti i të bërit biznes është përkeqësuar në vitin 2023 krahasuar me vitin 2017.
Sipas deputetit Hoti, kjo na qenka faktuar përmes një studimi të bërë nga Riinvest.
E ky studim ka shumë shpërputhje me gjendjen faktike, që len të kuptohet se, ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes. Për hir të institucionit, uroj që të jetë e para, përkundër afërsisë evidente të këtij institucioni me eksponentë të LDK-së.
🔴 Që në indikatorin e parë, “Normat tatimore”, sipas studimit ka pasur përkeqësim krahasuar me vitin 2017.
🟢 Ndërkaq gjendja faktike është që as edhe një normë tatimore e vetme nuk është rritur. Hera e fundit kur ka pasur rritje të normave tatimore ka qenë në vitin 2015, kur vendi qeverisej nga koalicioni LDK-PDK, dhe TVSH-ja ishte rritur nga 16% në 18%. Pra, nëse metodologjia e matjes do të ishte e duhura, ky indikator s’do duhej të shfaqte ndryshim signifikant.
🔴 Indikatori tjetër është “Ngarkesat administrative”, ku gjithashtu sipas studimit shfaqet përkeqësim krahasuar me vitin 2017.
🟢 Edhe këtu, krahasuar me vitin 2017, gjendja faktike ka përmirësime të theksuara: deklarimi i pasqyrave financiare tani mund të bëhet online në EDI, shumë shërbime tjera janë dixhitalizuar përmes eKosova (çertifikatat e pronësisë, pagesat e tatimeve e detyrimeve tjera), janë thjeshtuar e konsoliduar shumë leje e licenca, e poashtu është hequr edhe kushtëzimi i pagesës së tatimit në pronë kundrejt shërbimeve të ofruara nga niveli komunal. Pra gjendja faktike tregon se ka pasur zvogëlim të barrës administrative, kurse “studimi i Riinvest” çuditërisht na jep pasqyrë të kundërt.
🔴Indikator tjetër që sipas Riinvest është përkeqësuar, është edhe “Ligjet dhe sistemi gjyqësor”.
🟢 Ndërkohë gjendja faktike është se kemi krijuar Gjyaktën Komerciale, dhe trajtimi i rasteve komerciale është përshpejtuar dukshëm.
🔴 “Qasja në kredi” është tjetër indikator që sipas studimit të Riinvest është përkeqësuar.
🟢 Gjendja faktike është e kundërt: kreditimi i bizneseve në tetor të vitit 2017 ka qenë në nivelin 1.54 miliardë euro, kurse në tetor të vitit 2023 ka qenë 2.93 miliardë euro, pra gati dyfishim. Edhe nëse e shikojmë si përqindje e BPV-së, na del se në vitin 2017 kreditimi i bizneseve ishte në nivelin prej 24.2% të BPV-së, kurse në vitin 2023 kjo shifër është në nivelin e 30% të BPV-së. Pra të gjitha statistikat objektive e të matshme e demantojnë rezultatin e studimit.
🔴 “Kostoja e financimit” gjithashtu shfaqet si përkeqësim.
🟢 Nivelin më të ulët normat e interesit e kishin prekur në vitin 2021 me 5.9% mesatarisht, duke rikthyer pastaj një rritje të ndalshme në vitet pasuese për shkak të rritjes së normës bazë nga Banka Qendrore Evropiane.
Në vitin 2017, norma mesatare e interesit për kreditë e reja për bizneset ishte 6.44% vjetore, apo +6.69% mbi nivelin e Euriborit 6-mujor (-0.25% Euribor mesatarja për 2017). Në 10 muajt e parë të 2023 norma mesatare e interesit për kreditë e reja është 6.73%, apo +2.94% mbi nivelin e Euriborit 6-mujor (3.79% Euribor mesatarja për 2023). Pra kostoja e kreditimit është mbajtur në nivele të ngjashme, përkundër rritjes së normës bazë të financimit prej më shumë se 4 pikë përqindjeje nga Banka Qendrore Evropiane. Kjo madje nuk përfshin as efektet e Masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese.
🔴 Tjetër indikator i përkeqësuar del të jetë edhe “Inkasimi i borxheve”.
🟢 Në fund të vitit 2017, faturat e papaguara që shteti u kishte borxh operatorëve ekonomikë kishin shënuar nivelin prej 199.41 milionë euro. Në fund të vitit 2022, vlera për faturat e papaguara më të vjetra se 30 ditë, ishte reduktuar në 23.73 milionë euro, apo rreth 176 milionë euro reduktim. Pra, shteti ka përmirësuar dukshëm pagesat e faturave dhe borxheve ndaj bizneseve krahasuar me vitin 2017, andaj edhe njëherë demantohet rezultati i studimit.
🔴 “Efikasiteti i Doganës dhe ATK-së” dhe “Informaliteti” kanë përkeqësim gjithashtu, sipas studimit.
🟢 Në vitin 2017, të hyrat tatimore të mbledhura nga Dogana dhe ATK, ishin 1.49 miliardë euro. Në vitin 2023, kjo pritet të jetë 2.50 miliardë euro. Pra kemi mbi 1 miliardë euro rritje në mbledhje të tatimeve nga këto dy institucione, pa rritur asnjë normë tatimore. Rrjedhimisht, demantohet edhe rezultati i studimit se ka përkeqësim të efikasitetit të Doganës e ATK-së, apo përkeqësim të informalitetit.
Një indikator megjithatë, që paska rënë në 0 për vitin 2023 nga 47.3 sa paska qenë në vitin 2017, qenka “Haraçi”. Për këtë mund të pajtohem me studimin.