Ministri Hekuran Murati e ka demantuar raportin e Institutit GAP, bazuar në të cilin theksohej se qeveria ka ndarë më shumë mjete për investime kapitale për komunat në të cilat udhëheq Lëvizja Vetëvendosje.
Në një analizë për ndarjen buxhetore javën e kaluar, Instituti GAP vlerësoi se nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq LVV-ja.
Por, sipas ministrit Murati, kjo është një dezinformatë.
“Ka pasë shumë qytetarë që drejtpërdrejt më kanë kontaktu, të habitur ndoshta edhe të shqetësuar nga disa raportime të mediave të cilat bazohen në një raport të një organizate të shoqërisë civile, duke thënë se a është e vërtetë që në komunën tonë nuk ka asnjë investim. Mund të them me përgjegjësi të plotë se kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve, mund të themi që ia kanë arrit sepse ky është rezultati. Kemi qytetarë të dezinformuar nga ai raport”, ka thënë Murati në një konferencë për mbledhja në objektin e qeverisë të mërkurën.
Por, si është bërë ndarja buxhetore për komunat për vitin 2024?
Murati tha se nuk bëhet fjalë për dallime mes komunave. Ai tha se investimet kapitale janë 860 milionë euro, e jo 13 milionë euro.
“Janë 745 milionë euro nga të cilat pra 640 milionë euro janë grant qeveritar dhe 100 milionë euro tjera janë të hyra vetanake të komunave. Këto 640 milionë euro u ndanë në bazë të numrit të banorëve. Për më tepër Komuna e Prishtinës ka marrë edhe 17 milionë euro shtesë si kryeqytet ndërkaq është edhe Obiliqi që merr 15 milionë euro tjera shtesë në kuadër të ligjit që parasheh kompenzimin për ndotjen e ambientit për shkak të ndodhjes së KEK-ut atje. Ka edhe këso grantesh shtesë që ndahen me formulë dhe nuk ka sesi Qeveria të vendos ndryshe. Pra është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave”, u shpreh Murati.
“Atë që është prezantu në atë raport i cili po merret si shabllon dhe po tentohet të pasqyrohet edhe nga opozita si diçka që është diskriminuese ndaj komunave të caktuara, bëhet fjalë, nëse nuk gaboj për 13 milionë euro. 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Investimet kapitale janë 860 milionë euro kurse raporti çka pasqyron në tabelë është vetëm 1.5 për qind e buxhetit. 98.5 për qind e buxhetit nuk e trajton ai raport i cili ndahet në baza të barabarta dhe të drejta.”
Ai tha se ka një tjetër keqkuptim në këtë analizë të institutit GAP. Tha se ndarjet e reja buxhetore i trajton vetëm përmes kodit buxhetor, e që sipas tij, është një gabim.
Për më tepër, çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që projektet e reja apo ndarjet e reja dhe të vjetra i merr vetëm sipas kodit”, tha Murati.
Ministri i Financave mori shembullin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.
“Për shembull, mund të jetë një objekt, ta zëmë stadiumi Adem Jashari mund të ketë qenë për vite të tëra me ndarje buxhetore 100 mijë euro. Edhe nuk është zbatu, e keni pa si ka mbet, si djerrinë nuk është punu asgjë në të. Pra, për vite të tëra ka pas nënbuxhetin mirëpo llogaritet si projekt i vjetër. E tash Ministria e Kulturës i alokon ndoshta 4-5 milionë euro prej 100 mijëve, atëherë 4.9 milionë euro janë mjete të reja. Po shtohen, mirëpo ai raporti që është prezantu nga shoqëria civile e është përdor nga opozita për ta sulmuar qeverinë thotë që investimet e reja janë zero, pavarësisht që janë shtu 4.9 milionë euro në një projekt të vetëm”, tha ai.
Të padrejta, i ka cilësuar Murati sulmet ndaj qeverisë duke u bazuar mbi këtë raport.
“Këtu kemi edhe shumë projekte të tjera. Gjithë kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro, na pardje i kemi nënshkru 80 milionë euro për Komunë të Prishtinës. Kështu që konsideroj që është e padrejtë të bëhet një sulm i tillë, e po ashtu e pasinqertë dhe jo e dinjitetshme që tentohet që përmes pasqyrimit të informatave gjysmake të krijohet një përshtypje që qeveria po diskriminon dikë. Përkundrazi, komunat kurrë më shumë buxhet nuk kanë pasur 745 milionë euro”, tha Murati.