Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, është shprehur i shqetësuar rreth debatit të fundit në opinionin publik për dënimin me vdekje pas rastit të vrasjes së një 18-vjeçari në qytetin e Podujevës. Murati e quan këtë debat një përpjekje për të shmangur përgjegjësitë e vërteta që shoqëria ka ndaj situatave të tilla, duke theksuar se ka nevojë për një analizë më të thelluar në ekonomi, shërbime sociale, arsim, drejtësi, etj.
“Sa herë ndodhin akte makabre të krimit si rasti i fundit në Podujevë, nxjerr krye debati për dënimin me vdekje. Në vend se si shoqëri të shohim se ku kemi dështuar në situata të tilla, sidomos kur në pyetje janë të miturit delikuentë, duke filluar nga familja, shkolla, shërbimet sociale, drejtësia, gazetaria e ekonomia, ne e gjejmë zgjidhjen më të lehtë. “Le ta kthejmë dënimin me vdekje” – buçasin rrjetet sociale, tavolinat e kafeneve tona, e ndonjëherë mund të dëgjohen të tilla qëndrime edhe në mediat tona.” – ka thënë Murati.
Murati shprehu një qëndrim kritik ndaj propozimeve për rikthimin e dënimit me vdekje, duke shtuar se kjo mund të shihet si një ikje nga përgjigja ndaj pyetjeve thelbësore për gjendjen e shoqërisë.
Ai argumenton se shqetësimi duhet të përqendrohet në sfidat thelbësore që i përballon shoqëria, duke filluar nga arsimi, ekonomia, shërbimet sociale, drejtësia, familja, etj.
“Thirrja për kthimin e dënimit me vdekje, është thirrje për t’i ikur të gjithë ne përgjegjësisë si shoqëri. Është ikje nga përgjigja në një mori pyetjesh që duhet t’i bëjmë. Si e kemi arsimin? Si e kemi ekonominë dhe shërbimet sociale? Si e kemi familjen? Çfarë drejtësie duam dhe cili është raporti ynë personal me ligjin? Çfarë politikanësh ne duam dhe adhurojmë? Çfarë debatesh kemi dëshirë të dëgjojmë mbrëmjeve në televizionet tona? Si sillemi ne në rrjetet sociale, posaçërisht me ata qëndrimet e të cilëve nuk na pëlqejnë? Cili tip i biznesmenëve ne na pëlqen në realitet? Si i edukojmë ne fëmijët tanë? Çfarë vlerash promovojmë tek ta?” – tha Murati më tej.