![Murati: Asociacioni e vetëmenaxhimi janë hapa drejt autonomisë së serbëve në Kosovë Murati: Asociacioni e vetëmenaxhimi janë hapa drejt autonomisë së serbëve në Kosovë](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2023/03/valon-murati.jpg)
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka bërë me dije se Plani i BE-së dhe ankesin për zbatimin e kësaj marrëveshje nuk do të shërbejnë për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se Asociacioni dhe vetëmenaxhimi janë një hap drejt autonomisë së serbëve lokalë në Kosovë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se dakordimet e Ohrit janë në funksion të defunksionalizimit të shtetit të Kosovës.
“Asociacioni me, e pa kompetenca ekzekutive, me vetmenaxhim me “shërbime” e pa “struktura”, kur kombinohet me privilegjet bllokuese kushtetuese që ka pakica serbe, pozitën e ardhshme të Kishës Ortodokse Serbe, dhe pa njohjen nga Serbia, dhe mbi të gjitha pa reciprocitet për shqiptarët në Kosovën Lindore, nuk i shërben kurrfarë integrimi të serbëve në Kosovë, por është një hap drejt autonomisë, për të shkuar drejt çintegrimit të veriut të vendit në një rrethanë tjetër. Këto “zgjidhje” janë në funksion të defunksionalizimit të shtetit të Kosovës nga brenda, sado që mund të kemi përfitime potenciale në planin e jashtëm. Nëse kjo marrëveshje zbatohet shkohet drejt një status quo të re me Serbinë, nga e cila ajo fatkeqësisht do të ketë disa mekanizma shtesë për të goditur funksionalitetin e republikës sonë nga brenda”, ka shkruar Murati.