Forcat e armatosura të Ukrainës kanë paralajmëruar se ekziston rreziku që municionet të shpërthejnë pranë termocentralit bërthamor të Çernobilit, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Irina Vereshchuk.
Termocentrali bërthamor i Çernobilit, i cili ishte skena e aksidentit më të keq bërthamor në histori në vitin 1986, u mor nën kontroll nga forcat ruse muajin e kaluar.
Rusia pas pushtimit të termocentralit bërthamor tha se “rrezatimi është brenda niveleve normale” dhe pretendoi se pushtimi i termocentralit “parandaloi provokimet e mundshme bërthamore nga nacionalistët ukrainas”
Vereshchuk tha gjithashtu se gjatë negociatave të djeshme, Ukraina i kërkoi Rusisë të lejojë krijimin e 97 korridoreve humanitare për t’i evakuuar civilët nga qytetet dhe fshatrat më të goditura.
“Ne kërkojmë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të marrë masa urgjente për të çmilitarizuar zonën e përjashtimit të Çernobilit dhe të nisë një mision të posaçëm të OKB-së për të eliminuar rrezikun e një përsëritjeje të katastrofës bërthamore”, shtoi Vereschuk.