Mungesa e investimeve kapitale dhe shuma e lartë e subvencioneve, janë disa nga shqetësimet që i paraqesin njohësit e ekonomisë, ndërsa tepricat buxhetore i quajnë keqmenaxhim dhe paaftësi për të menaxhuar me paranë publike.
Profesori i ekonomisë, Medain Hashani, tha për Ekonomia Online se me subvencione nxitet “dembelllëku” te qytetarët. Ndërsa kërkon rritje të investimeve kapitale dhe krijimin e zonave ekonomike, ku krijohen kushte për investitorë të huaj e të brendshëm.
“Nuk duhet të mendojmë se kjo qeveri të ketë një buxhet të masave sociale siç është duke i ndërmarrë, ku buxheti i vitit 2024 është thuajse 1/3 është e ndarë për subvencione sociale që në një mënyrë ka kryer një lloj ‘dembelllëku’ në aspektin e punësimit. Për këtë arsye mendoj që duhet ndryshimi i strategjive ekonomike për të pasur punësim më të madh, zonë ekonomike ku do të krijohen kushte infrastrukturore për investitorët e huaj dhe të brendshëm, modelimi i investimeve e brendshëm mirëpo për qytetarët mundemi më thënë që janë pjesë e investimeve të përbashkëta, ku pjesë e tyre të jetë edhe qeveria e Kosovës”, u shpreh ai.
E tepricat buxhetore, Hashani i quan keqmenaxhim të Qeverisë. Thotë se paaftësia e Qeverisë për t’i shpenzuar mjetet në investime kapitale, i përkthen në subvencione.
“Unë jam kundër ndarjes së subvencioneve për arsye se njëfarë mënyre është edhe një keqmenaxhim i parave të taksapaguesve të Kosovës, sepse në momentin kur ato mjete nuk investohen dhe multiplikohen në biznese, atëherë ato mjete munden me u dhënë, po për shkak të mosshpenzimit të atyre mjeteve për shkak të vitit paraprak andaj tepricat të cilat janë krijuar nga kjo qeveri mund të quhen para të keqmenaxhuara. Nëse një qeverie i teprojnë miliona euro në buxhet e ata miliona i shpërndan si subvencione, kjo tregon paaftësinë e asaj qeverie në menaxhimin e investimeve kapitale të cilat do të multiplikoheshin në aspektin ekonomik, dhe të krijojnë vende të reja pune”, u shpreh Hashani.
Ndërsa kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vitin 2024 e sheh si vit të menaxhimit të krizave ekonomike e politike. Sipas tij, nëse Qeveria nuk i adreson shqetësimet e tyre, ekonomia do të ketë përformancë më të dobët këtë vit.
“Viti 2024 do të jetë vit i menaxhimit të krizave ekonomike, të atyre politike, integruese dhe gjithë kjo do të ndikoj në një performacë të dobët ekonomike e që nuk e shohim si prirotet të qeverise ekonominë e vendit. Nuk është e fokusuar që të rritet zhvillimi ekonomik i vendit dhe këtë e nis me dy argumente: 1) investimet kapitale janë pothuajse tërësisht jashtë fokusit të qeverisë dhe vitin e kaluar kemi pasur përqindje më të ulët që nga paslufta e këndej. Në investimet kapitale të cilat gjenerojë zhvillimin ekonomik të vendit, dhe e dyta po ashtu investimet kapitale janë shumë të rëndësishme për vendin ku ajo ka mbështetje edhe nga faktori ndërkombëtar, neve veçse na ka vënë sanksione vitin e kaluar dhe sanksionet kanë ndikuar që disa investime kapitale të mos zbatohen”, u shpreh Shahini.
Kritika ka edhe për vlerën e ulët të pagës minimale, të cilën e ka më të ulëtën në rajon. Prioritet sipas tij duhet t’i epet edhe pasurive nëntokësore.
“Zhvillimi ekonomik mbetet në sektorin privat si fuqia më e madhe e zhvillimit ekonomik, si punëdhënësi më i madh më mbi 300 mijë të punësuar dhe si tatimpaguesi më i madh. Mbetet që ky fokus të jetë në rritje të sektorit privat. Duhet t’i rrit pagat e punëtoreve, rritje e standardit jetësor, e po ashtu qeveria është obliguese të rrit standardet e jetës së qytetareve të vet. Kosova mbetet vendi më i varfër në rajon, me pagën minimale më të ulët në Evropë prej 170 euro dhe paga mesatare 520 euro, këto e bëjnë Kosovën që diçka këtu nuk ec mirë. Ne posedojmë pasuri të madhe nën e mbitokësore dhe nëse vihet në shfrytëzim mund të bëhet pasuria më e madhe”, u shpreh Shahini.