Me iniciativë të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit, sot është mbajtur një takim i përbashkët në Kuvendin e Kosovës me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe kompanisë KESCO, për të diskutuar pasojat e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Deputeti i LDK-së, Visar Azemi, përmes një statusi në Facebook ka shprehur shqetësimin për mungesën e pjesëmarrjes së ZRrE-së dhe Autoritetit të Konkurrencës në këtë takim, ndonëse të dy institucionet kanë obligim ligjor të raportojnë para Kuvendit.

“Fatkeqësisht, këto institucione zgjodhën të mos përballen me deputetët dhe me publikun për një vendim me pasoja të rënda për ekonominë e vendit. Vetëm para dy ditësh, ZRrE kishte marrë pjesë në një takim me deputetë të LVV-së, por jo në Kuvend, por në ndërtesën e Qeverisë. Ky nuk është profesionalizëm, ky është servilizëm”, ka deklaruar Azemi.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit u fokusuan në efektet socio-ekonomike të vendimit, mungesën e konkurrencës reale në tregun e liberalizuar, si dhe interpretimin e diskutueshëm të Nenit 37, paragrafi 2 të Ligjit për Energjinë Elektrike, në bazë të të cilit është ndërmarrë përjashtimi i bizneseve nga shërbimi universal.

Përfaqësues të bizneseve, veçanërisht nga sektori i prodhimit, paralajmëruan se ky vendim do ta pamundësojë funksionimin e ndërmarrjeve të tyre, për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, e cila rrit ndjeshëm koston e prodhimit dhe i bën ato jokonkurrente si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Takimi u përmbyll me një kërkesë publike drejtuar ZRrE-së dhe Qeverisë së Kosovës, për të anuluar ose të paktën shtyrë për një vit zbatimin e këtij vendimi, deri në krijimin e kushteve për një treg funksional, transparent dhe konkurrues – në përputhje me ligjin dhe në interes të ekonomisë kombëtare.