11.1 C
New York
Tuesday, April 22, 2025

Buy now

Mungesa e mekanizmave për trajtimin e ankesave po i lë pacientët pa zë, pensionistët më të prekurit

- Advertisement -

Në Kosovë, pacientët përballen me një sërë sfidash në sistemin shëndetësor, nga mungesa e barnave e deri te trajtimi joetik nga stafi mjekësor, por mungesa e mekanizmave funksionalë për adresimin e ankesave po bën që shumë prej tyre të heqin dorë nga kërkimi i së drejtës.

Kështu thotë në intervistë për Ekonomia Online, Besim Kodra, drejtor i programeve në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK). Ai ngrit shqetësimin se kjo situatë po krijon një kulturë të heshtjes në mesin e pacientëve.

Ai shtoi se shpeshherë pacientët detyrohen të përballen vetë me situatën, pa pasur një adresë të sigurt për t’i kanalizuar shqetësimet e tyre.

“Ankesat janë të natyrave të ndryshme: për mungesë të barnave, për trajtim joetik e johuman. Ka ankesa për listat e pritjes, për komunikime mes stafit shëndetësor dhe pacientëve, për kushtet hotelierike, higjienike e të tjera. Problematike për ne mbetet fakti që institucionet nuk kanë mekanizma të qartë të trajtimit të ankesave dhe kjo i demotivon njerëzit për t’u ankuar edhe shpesh herë ata i shtrëngojnë vetë duart dhe konfrontohen vetë me stafin shëndetësor, që është diçka që nuk duhet të ndodhë. Mendoj që Ministria e Shëndetësisë është dashur të krijojë një procedurë standarde të menaxhimit të ankesave dhe çdo ankesë të marrë një trajtim ose një epilog të drejtë”, tha ai.

Kodra vlerëson se gjendja aktuale nuk është pasojë e mungesës së problemeve, por e mungesës së informimit dhe e besimit të qytetarëve në sistemin që supozohet se duhet t’i mbrojë.

“Realisht, mendoj se nuk ka ankesa aq sa ka shkelje, për shkak se edhe njerëzit nuk i njohin mirë të drejtat e tyre dhe nuk e dinë se kur duhet të parashtrojnë ankesa ose kur e drejta e tyre është shkelur. Në parim, mendoj se gjendja në sistem nuk është e mirë. Këtë nuk mund ta shoh vetëm dikush që nuk do ta shohë. Gjërat duhet ndryshuar në masë të madhe për t’i dhënë rëndësi secilës nevojë të qytetarit dhe trajtimit të secilës ankesë, ku ai nuk ka marrë shërbimin shëndetësor që iu ka nevojitur”, tha ai.

Kodra tha se nga vlerësimi i bërë nga PRAK gjatë vitit të kaluar del se vetëm 46 për qind e qytetarëve në Kosovë e dinë se kush i mbron të drejtat e tyre si pacientë. Sipas tij, në mungesë të një databaze shtetërore për ankesat, nuk dihet as sasia reale e tyre e as natyra specifike.

“Në vlerësimin që e kemi bërë vitin e kaluar del se diku rreth 46 për qind e njerëzve e dinë në Kosovë se kush i mbron të drejtat e tyre. Kjo tregon për masën e madhe që duhet të informohet, sepse pa njohuritë rreth të drejtave që i kanë, nuk mund edhe t’i kërkojnë ato dhe nuk parashtrojnë ankesa. Vitin e kaluar kemi pranuar 300 ankesa. Problem është se në Kosovë nuk ka një mekanizëm të qartë të trajtimit të ankesave dhe nuk kemi një databazë të përgjithshme shtetërore se sa është numri i ankesave. Për shembull: disa shkojnë në ministri, disa vijnë te ne, disa shkojnë në pesë Oda të profesionistëve shëndetësorë, disa në inspektorat, disa shkojnë nëpër qendra të mjekësisë familjare. Nuk ka një databazë shtetërore se sa është numri i ankesave dhe cili është lloji i tyre”, tha ai.

Kodra tha se më të prekur nga këto probleme janë grupet sociale të margjinalizuara, si pensionistët.

“Në bazë të numrave dhe statistikave që i kemi, janë rastet sociale, pensionistët të cilët më shumë atakohen nga sistemi shëndetësor, për shkak të paaftësisë ose pamundësisë për të marrë shërbimin shëndetësor që e kanë. Çuditërisht, këto grupe më pak parashtrojnë ankesa, sepse edhe mundësinë që ata të informohen rreth të drejtave e kanë më të kufizuar. Për këtë arsye, mendoj se shtetet krijohen në këtë formë që t’ju ndihmojnë njerëzve ose t’i privilegjojnë ata, që nuk mund të marrin shërbimin shëndetësor”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit