Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Besim Mulaj, ka renditur atë që i cilëson si gjashtë dështimet kryesore të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti gjatë pesë viteve të fundit.
Në një reagim publik, Mulaj ka theksuar se premtimet e qeverisë janë shndërruar në pasoja konkrete për qytetarët, duke ndikuar negativisht në ekonomi, diplomaci dhe jetën e përditshme në Kosovë.
Sipas tij, dështimi i parë lidhet me përkeqësimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Mulaj ka deklaruar se Kosova, për herë të parë, ka hyrë në përplasje të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur pezullimin e negociatave për partneritet strategjik dhe akuzat për mungesë bashkëpunimi. Ai ka shtuar se raportet me Bashkimin Evropian janë përkeqësuar deri në vendosjen e masave ndëshkuese, të cilat, sipas tij, i kanë shkaktuar Kosovës humbje rreth një miliard euro.
Dështimi i dytë, sipas Mulajt, ka të bëjë me sektorin e energjisë. Ai ka kritikuar rritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, si dhe detyrimin e mbi 1,300 bizneseve për të kaluar në tregun e lirë, ku çmimet janë trefishuar. Mulaj ka theksuar se, ndonëse janë premtuar hetime dhe kapacitete të reja energjetike, gjatë pesë viteve nuk është ndërtuar asnjë megavat i ri dhe është rritur ndjeshëm importi i energjisë.
Si dështim të tretë, ai ka përmendur administratën publike, duke deklaruar se institucionet janë paralizuar për shkak të emërimeve të shumta me ushtrues detyre. Sipas tij, kjo ka hapur rrugë për punësime partiake dhe ka penguar hartimin e politikave serioze afatgjata.
Mulaj ka kritikuar edhe sektorin e infrastrukturës, duke thënë se asnjë projekt madhor nuk është finalizuar. Ai ka përmendur rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Gjilan dhe projekte të tjera, të cilat, sipas tij, po zvarriten dhe po i shkaktojnë humbje ekonomike shtetit dhe stres qytetarëve.
Në listën e dështimeve, Mulaj ka përfshirë edhe zhvillimin ekonomik dhe investimet. Ai ka deklaruar se për pesë vite nuk është finalizuar asnjë park biznesi dhe se Kosova nuk ka arritur të tërheqë investitorë strategjikë, ndërsa disa drejtues institucionesh po përballen me procese gjyqësore për korrupsion.
Si çështje shtesë, Mulaj ka përmendur shpopullimin e vendit, duke thënë se, ndonëse është premtuar e kundërta, Kosova ka humbur një numër të madh qytetarësh gjatë kësaj periudhe.
Në fund të reagimit të tij, Mulaj ka përmendur përfundimin e Urës së Saradranit në Istog, duke e cilësuar atë si një nga projektet e rralla të përfunduara gjatë mandatit pesëvjeçar të qeverisë aktuale.
Postimi i plotë:
6 dështimet kryesore të qeverisë Kurti
Për 5 vite qeverisje, premtimet e mëdha u shndërruan në dështime të rënda që sot po i paguan qytetari i Kosovës. Këto nuk janë më çështje perceptimi apo propagande, por pasoja konkrete në ekonomi, politikë dhe jetën e përditshme.
Së pari: konflikti i vazhdueshëm me miqtë ndërkombëtarë.
Për herë të parë, Kosova u fut në përplasje të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke arritur deri te pezullimi i negociatave për partneritet strategjik dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë për mungesë bashkëpunimi. Njëkohësisht, raportet me Bashkimin Evropian u përkeqësuan aq shumë saqë u vendosën masa ndëshkuese, të cilat i kushtuan Kosovës afër një miliard euro humbje. Izolimi nuk është sovranitet, por dështim diplomatik.
Së dyti: energjia – shembulli më i qartë i keqmenaxhimit.
Çmimi i energjisë elektrike u rrit vazhdimisht si për konsumatorët familjarë ashtu edhe për bizneset. Mbi 1300 biznese u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë, ku çmimi u trefishua. U premtua hetim për shitjen e rrjetit të shpërndarjes së energjisë, por për 5 vite të gjitha institucionet i shërbyen grupeve të interesit. U premtuan kapacitete të reja energjetike, por jo vetëm që nuk u ndërtua asnjë megavat i ri, por u menaxhuan keq edhe kapacitetet ekzistuese, duke rritur faturën e importit të energjisë me qindra miliona euro.
Së treti: administrata publike.
U premtua administratë profesionale dhe e pavarur, por ndodhi e kundërta. Për herë të parë, pothuajse të gjitha pozitat drejtuese u lanë me ushtrues detyre, duke i paralizuar institucionet dhe duke hapur rrugë për punësime të militantëve partiakë dhe familjarëve. Një administratë e përkohshme nuk mund të prodhojë politika serioze dhe afatgjata.
Së katërti: infrastruktura.
Asnjë projekt madhor nuk u finalizua. Rrugët Prishtinë–Podujevë, Prishtinë–Pejë, Prishtinë–Gjilan, Gjakovë–Dollc–Skenderaj–Drenas e shumë të tjera po keqmenaxhohen çdo ditë. Këto projekte po zgjasin pafund, duke i shkaktuar humbje ekonomike shtetit dhe kosto e stres qytetarëve.
Së pesti: zhvillimi ekonomik dhe investimet.
Për 5 vite nuk u finalizua asnjë park biznesi. Si rezultat, Kosova nuk arriti të tërheqë asnjë investitor serioz strategjik. Ndërkohë, drejtues të ministrive përballen me procese gjyqësore për korrupsion, ndërsa vendi mbeti pa zhvillim dhe pa vende të reja pune.
Për më tepër, u premtua se Kosova nuk do të shpopullohej sa kohë kjo qeveri ishte në pushtet. Fatkeqësisht, ndodhi e kundërta: sot kemi më shumë qytetarë në tubime jashtë Kosovës sesa brenda saj. Për 5 vite, Kosova u zbraz, ndërsa propaganda u mbush.
Dhe për ta mbyllur drejt:
Albin, të përgëzoj për përfundimin e Urës së Saradranit në Istog. Këtë punë nuk ta humbi askush. Pas 5 viteve premtime, dështime dhe humbje miliardëshe, ura mbetet dëshmi se kur ka vullnet, diçka edhe përfundohet. Ironike, por e vërtetë.






