Muja në Ditën e Pyjeve: 500 mijë fidanë për institucionet dhe qytetarët

- Advertisement -

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja ka theksuar rëndësinë strategjike të pyjeve për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e kësaj dite, Ministri mori pjesë në aksionin simbolik të mbjelljes së fidanëve, duke theksuar rëndësinë e shtimit të sipërfaqeve të gjelbra dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e pyjeve.

Ministri vuri në dukje se pyjet dhe tokat pyjore mbulojnë rreth 46% të territorit të Kosovës, duke përbërë një potencial të rëndësishëm kombëtar që kërkon mbrojtje dhe menaxhim të qëndrueshëm. Ai theksoi se pyjet luajnë rol kyç në mbrojtjen e tokës, ujit dhe ajrit, në ruajtjen e biodiversitetit dhe në luftimin e ndryshimeve klimatike, si dhe krijojnë mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik, punësim dhe turizëm rural.

“Ruajtja dhe zhvillimi i qëndrueshëm i pyjeve mbetet një nga prioritetet tona kryesore. Pyjet janë pasuri kombëtare që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit. Prandaj, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e ka vendosur sektorin e pyjeve si prioritet të qartë. Në këtë drejtim, sot kam marrë vendim për shpërndarjen pa pagesë të rreth 500,000 fidanëve për institucione, shkolla, organizata dhe qytetarë, me qëllim rritjen e sipërfaqeve të gjelbra dhe përmirësimin e mjedisit”, ka thënë Ministri Muja.

Po ashtu, ai ka theksuar se gjatë vitit 2026 do të ndërmarrin hapa konkretë për zhvillimin e sektorit pyjor. “Hapat që do t’i ndërmarrin janë pyllëzimi i rreth 97 hektarëve tokë me mbi 250,000 fidanë, krijimi i kadastrit pyjor për tokat publike, hartimi i planeve menaxhuese për rreth 30,000 hektarë pyje, si dhe miratimi i programeve dhe planeve zhvillimore për sektorin pyjor”, ka treguar Muja.

Ndër tjerash, ai ka theksuar se qëllimi i tyre është i qartë, që të mbrojnë pyjet, të rrisin sipërfaqet e gjelbra dhe ta zhvillojnë këtë sektor në përputhje me standardet evropiane.

Ministria mbetet e përkushtuar për të adresuar sfidat në sektorin pyjor, përfshirë prerjet ilegale dhe degradimin e tokës, përmes politikave të qëndrueshme dhe investimeve konkrete.

Të ngjashme

Të fundit