22.7 C
New York
Tuesday, July 22, 2025

Buy now

Muhaxhiri: Pas dështimit të 50-të të Kuvendit, vetëm një vendim i qartë i Kushtetueses mund të zhbllokojë krizën

- Advertisement -

Pas dështimit për herë të 50-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxhiri, tha për Ekonomia Online se situata ka humbur çdo sens politik, logjik dhe moral, ndërsa paralajmëroi se zhbllokimi mund të ndodhë vetëm me një vendim më të qartë dhe më të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.

“Për fat të keq kjo situatë e ka humbur gjithë sensin normal, gjithë logjikën njerëzore politike, gjithë moralin. Nuk ka më asnjë kuptim, është zhgënjyese t’i shohim politikanët tanë deri ku mund të shkojnë me këtë sjellje absolutisht të papërgjegjshme, të pamoralshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese fatkeqësisht nuk ka ndonjë indikacion që partitë politike do ta marrin atë si një bazë për të reflektuar, për të ndryshuar pozitivisht. Ende jemi në pozicionet e deritashme të ngurta, hendeku është ende i madh dhe sipas gjitha gjasave do të duhet një vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese shumë më i qartë, shumë më preciz, në mënyrë që të bëjë presion partive politike, liderëve politikë që të sillen në mënyrë normale,” tha Muhaxhiri.

Ai theksoi se edhe presidentja Vjosa Osmani ka rol në këtë proces, ndonëse me kompetenca të kufizuara, duke sugjeruar që ajo të jetë më aktive në drejtim të zhbllokimit institucional.

“Presidentja Osmani natyrisht që i ka opsionet e kufizuara të ndikimit, mirëpo ajo gjithsesi mund të dërgojë një pyetje në Gjykatën Kushtetuese edhe për shkak të profesionit të saj, por edhe për shkak të postit që e ka, pra duhet që të kontribuojë maksimalisht me gjitha kapacitetet që i ka në procesin e zhbllokimit. Natyrisht, do të varet nga mënyra se si do të parashtrohet pyetja në Kushtetuese, prandaj duhet që të kihet kujdes që edhe Gjykata Kushtetuese të mos ketë hapësirë shumë për të marrë ndonjë vendim, i cili mund të keqinterpretohej nga palët dhe t’i jepej kuptim krejtësisht i ndryshëm varësisht nga pozicioni politik. Në çdo aspekt Presidentja Osmani duhet të jetë shumë më aktive, sepse kjo bllokadë do t’i faturohet në një aspekt edhe asaj pasi ajo si e para e vendit ka obligim edhe ligjor edhe moral që të bëjë maksimumin në gjetjen e zgjidhjes.”

Muhaxhiri theksoi se në rrethana të mungesës së vullnetit nga partitë politike, Gjykata Kushtetuese mbetet institucioni kyç për të vendosur një drejtim të qartë që do të pamundësojë keqinterpretimin dhe shtyrjen e mëtejme të krizës.

“Gjykata Kushtetuese duhet që të jetë në nivel të detyrës sepse ajo është absolutisht faktori më i rëndësishëm dhe me vendimmarrës që mund ta gjejë rrugën drejt zhbllokimit. Pra, pasi nuk ka as pak vullnet nga partitë politike, nga liderët politikë, atëherë Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj mund të ndikojë në zhbllokim. Për këtë arsye edhe vendimet e saj duhet që t’i kenë dy elemente, e para që të jenë shumë më të shpejta, që të mos e konsumojnë tërë kohën që e kanë në dispozicion, sepse është një urgjencë dhe nuk është një situatë normale. Edhe e dyta: formulimi i aktgjykimit duhet që të jetë i tillë që ta pamundësojë çdo keqinterpretim, çdo deformim, sepse partitë politike mezi e presin edhe hapësirën më të vogël që të bëjnë këtë,” tha për EO, Muhaxhiri.

Të ngjashme

Të fundit