-2.4 C
New York
Monday, December 22, 2025

Buy now

Muharremi: Rryma po kthehet në luks, jo në shërbim bazë

- Advertisement -

Analisti i ekonomisë Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj gjendjes energjetike dhe ekonomike në Kosovë, duke theksuar se qytetarët po përballen me varfërim, pasiguri dhe mungesë të shërbimeve bazë, përfshirë energjinë elektrike.

Në një reagim publik, Muharremi thekson se edhe aktivitetet zgjedhore në disa zona të vendit po zhvillohen në errësirë, me llamba dhe qirinj, gjë që sipas tij ngre pikëpyetje serioze për gjendjen reale të infrastrukturës energjetike në Kosovë.

“Jemi duke parë aktivitete publike që zhvillohen në terr. Zoti e di sa fshatra dhe vendbanime janë aktualisht pa energji elektrike”, ka deklaruar ai.

Sipas Muharremit, gjatë një mandati qeverisës, çmimi i energjisë elektrike është rritur dy deri në tre herë, ndërsa Kosova ka importuar energji në vlerë gati një miliard euro, me çmime katër deri në pesë herë më të larta sesa kostoja e prodhimit vendor. Ai thekson se kjo politikë ka ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e inflacionit kronik dhe në rritjen e çmimeve të produkteve bazë.

“Çmimet në markete, në raport me fuqinë blerëse, janë disa herë më të larta sesa në Gjermani dhe Zvicër”, vlerëson Muharremi.

Analisti shton se bizneset vendore dhe prodhuesit janë rënduar me kosto të larta dhe politika të pafavorshme, duke bërë që disa prej tyre të ndalin punën, ndërsa të tjerët të ulin prodhimin. Si pasojë, importi i mallrave ka arritur mesatarisht në rreth 500 milionë euro në muaj, apo rreth 6 miliardë euro në vit.

“Pavarësisht gjithë këtyre shpenzimeve dhe pasojave, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike”, thekson ai.

Në përfundim, Muharremi e cilëson situatën aktuale si dëshmi të një qeverisjeje joefektive, duke theksuar se qytetarët sot janë më të varfër, më të pasigurt dhe po jetojnë në një shtet ku energjia elektrike po trajtohet si luks, e jo si shërbim bazë për familjet dhe ekonominë.

Të ngjashme

Të fundit