Analisti, Shenoll Muharremi ka thënë se aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme, i cili konstatoi se nxjerrja e akteve nënligjore nga ministrat që janë deputetë përbëjnë shkelje kushtetuese konfirmon se ndalesën kushtetuese për t’i mbajtur dy pozita.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të rrezikshme, e që po vjen pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Muharremi tutje thotë se VV’ja është e zhgënjyer me rezultatet e zgjedhjeve, ku sipas tij Kurti nuk festoi, por reagoi si humbës i nervozuar. E për këtë, sipas Muharremit partia e parë tani po bën taktika të zvarritjes.
Postimi i plotë:
Kosova në Fazën e Kuqe
Po futemi në fazën me rrezikshmëri të lartë politike!
Vendimi i Gjykatës Supreme që konfirmon ndalesën kushtetuese për të qenë njëkohësisht deputet dhe ministër nuk solli ndonjë të re juridike ishte thjesht rikujtim i një fakti bazik kushtetues.
Kosova po hyn në një fazë të re dhe potencialisht të rrezikshme, me eskalim të mundshëm institucional dhe shoqëror.
Që nga nata e 9 shkurtit, ishte e dukshme që LVV ishte e zhgënjyer me rezultatin. Albin Kurti nuk festoi si fitues, por reagoi si humbës i nervozuar.
Kjo sjellje nuk ishte rastësi, ishte reflektim i një strategjie të gabuar politike “O krejt, o asgjë.” Një lojë kazinoje ku LVV rrezikoi gjithçka që kishte dhe tani është në prag të humbjes së gjithçkaje.
Pas zgjedhjeve filluan edhe taktikat e zvarritjes. Së pari vonesat në certifikimin e rezultateve, pastaj bllokimi i Kuvendit, e më pas shpërfillja e interpretimit të qartë të Kushtetutës për nevojën e shumicës parlamentare.
Qëndrimi i tyre ndaj vendimit të Gjykatës Supreme është më radikali deri më tani. Sfidim i drejtëpërdrejtë ndaj rendit kushtetues.
Këto janë qëndrimet me të rrezikshme deri tani. Refuzimi i vendimeve të gjykatave mund të çojë në një fazë ku edhe përdorimi i dhunës dhe veprimeve të përshkallëzuara nuk mund të përjashtohen.
Kjo situatë nuk është më vetëm krizë politike, duket si një kërcënim i drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe stabilitetin e shtetit. Nëse vazhdon qeverisja në shkelje të Kushtetutës, pasojat mund të jenë të paparashikueshme.
Pasojat nuk do i bartë vetëm LVV. Do i bartë Kosova. Deri më tani kemi dëmtim në ekonomi, energji, arsim, tregti, varfëri e migrim. Institucionet janë bllokuar. Shteti është paralizu.
Rreziku më i madh sot vjen nga LVV. Nga një parti që nuk po pranon rezultatet, nuk po pranon realitetin, dhe që është gati të shpërfillë gjithçka, edhe Kushtetutën dhe Vendimet e Gjykatës Supreme, kur nuk i përshtatet pushtetit të saj.