Njohësi i çështjeve ekonomike, Shenoll Muharremi, ka thënë se Ministria e Ekonomisë sa i përket çështjes energjetike po tregon zero kompetencë e kredibilitet.
Ai ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti duhet të flas nëse e mbështet rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas tij, Kurti duhet të tregojë edhe si do ta arrijë zgjidhjen, meqë një rritje e çmimit të rrymës do të ketë efekte përcjellëse.
“Këtë lidership të Ministrisë së Ekonomisë nuk e marr më seriozisht, sa i përket rastit të krizës së energjisë dhe faturave të rrymës. Kompetencë? Zero. Kredibilitet? Në minus të thellë. Kur të ofrojnë një zgjidhje për situatën energjetike dhe të faturave, atëherë mundemi me pa çka kanë bë. Deri tash, as kujdes për qytetarët, as për bizneset nuk kanë tregu. Ku e keni zgjidhjen?”.
“Nëse nuk keni zgjidhje, atëherë jeni pjesë e problemit. Mos na lodhin me postime palidhje. Ofroni zgjidhje, jo justifikime boshe. Tash po e presim Albin Kurtin me folë. Ai duhet me na tregu qartë: -A e përkrahë rritjen e çmimeve të rrymës dhe një valë të re të inflacionit? -Edhe çka ka me bo për me gjet zgjidhje? Nëse Kurti nuk flet, atëherë ai po e miraton në heshtje”, ka thënë Muharremi.