Muharremi për çështjen e presidentit: Një person vendos për gjithçka, ka ambicie për pushtet absolut

- Advertisement -

Analisti Shenoll Muharremi ka thënë se, me situatën e krijuar, nuk ka si të përfundojë mirë puna e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në një shkrim në Facebook, ai ka theksuar se, një ditë para afatit, nuk dihen emrat e kandidatëve për president.

“Një person vendos për gjithçka dhe asgjë nuk ndan me të tjerët. Kjo nuk është as ‘D’ e demokracisë dhe pjesëmarrjes së publikut në tema të rëndësishme dhe vendimmarrje. Nuk është DEMO (qytetarët/populli)-kraci, por autokraci, qeverisje dhe vendimmarrje nga një person.

Dhjetëra njerëz të përshtatshëm për president ka. Opsione sa të duash, por vullnet politik zero. Vullnet për të bashkëpunuar aspak, e më mirë të vendosë vetë e të krijojë kriza maksimalisht”, ka shkruar tutje ai.

Muharremi ka shtuar se ka ambicie për pushtet absolut:

“Ka vetëm ambicie për pushtet absolut dhe kontroll maksimal mbi çdo hallkë të shtetit.

Demokracia nuk është e shëndetshme kur një person vendos për gjithçka, ndërsa shumica absolute nuk kanë as qasje e as mundësi të diskutojnë për kandidatin për president.

Ky stil i drejtimit të vendit dhe qeverisjes, me një person të vetëm që vendos gjithçka, për të gjitha temat e rëndësishme, nuk ka si të përfundojë mirë për Kosovën. Më shumë duket një autokraci sesa demokraci kur shohim procesin e zgjedhjes së presidentit.

Kjo nuk duket demokraci funksionale, por më shumë një demokraci e gjymtuar brenda një kornize të fortë kontrolli nga një person kryesisht.”

Të ngjashme

Të fundit