Analisti Shenoll Muharremi thotë se nacionalizimi i vonuar po e stagnon dhe mban peng Kosovën, ku ka theksuar se duhet një kthesë drejt zhvillimit, e inovacionit të temave të prosperitetit.
Postimi i plotë:
Nacionalizmi i vonuar (me shekuj) që po e stagnon dhe mban peng Kosovën
Na duhet kthesë drejt zhvillimit, inovacionit e temave te prosperitetit. Nacionalizmi negativ është bë pengesë për vendin, e Kosova ka nevojë sa më parë me u zgju nga iluzionet dhe me u kthye te realiteti.
Mëngjes e shikova një investim në Shenzhen. Kishin ndërtuar një stacion metroje pak më futuristik që quhej Gangxia North Station, 220,200 m² dhe me atrakcione të shumta e qendra tregtare brenda.
Nuk kishte të dhëna zyrtare për investimet, por dikush sugjeronte që investimi në këtë stacion të metros është rreth 7 miliardë dollarë amerikanë. Një projekt i vetëm sa gati 2 herë krejt buxheti publik vjetor i Kosovës. E tek ne? Temat si rriten shtesat nga 10-20 euro. Një kontrast dramatik.
Kur e krahasojmë me temat aktuale që i kemi ne, sidomos gjatë zgjedhjeve, të len me kuptu dy-tri gjëra.
Jemi jashtëzakonisht të kufizuar me resurse. Gjatë gjithë zgjedhjeve nuk kemi pasur shumë projekte serioze apo inovative. Më shumë temat ishin për qasjen në ujë të pijshëm e kanalizime.
Ndoshta një projekt në Prishtinë, unaza e jashtme, është projekti më i madh, por edhe ai po has në probleme të shumta dhe tashmë ka shumë vite që flitet për të pa lëvizur shumë. Thuhet që bëhet fjalë për bllokada mes grupeve politike si arsye kryesore pse nuk po zbatohet. Sidoqoftë, projektet në zgjedhjet lokale janë kryesisht bazike të infrastrukturës.
Kjo është diçka horizontale e përgjithshme dhe tregon edhe nivelin e zhvillimit tonë socio-ekonomik, resurset shumë të kufizuara dhe mbase edhe shkallën e civilizimit tonë në aspektin ku jemi sot me cilësi të arsimit, infrastrukturës dhe temave socio-ekonomike.
Shtrohet pyetja, pse jemi kështu? Mbase njëri nga faktorët kryesorë, përpos mungesës së resurseve njerëzore dhe financiare, ka të bëjë me temat me të cilat merremi. Duket qartë që zhvillimi, arsimi, bizneset, inovacioni, sipërmarrësia nuk janë fare tema të rëndësishme për ne.
Krijohet përshtypja që temat si nacionalizmi janë aktive vitet e fundit. E kjo nuk po gjeneron diçka të dobishme dhe po i eklipson temat tjera që kishin me sjellë më shumë zhvillim.
Paradoksi është tek fakti që nacionalizmi klasik, kur aplikohet në këtë lloj niveli, zakonisht është si mbulesë e mungesës së vizionit dhe kapaciteteve për zhvillim të qëndrueshëm që kishte me e forcu ekonominë dhe me sjellë prosperitet e projekte zhvillimore në të ardhmen.
E ky sindrom i mungesës së diskutimeve dhe interesimit për zhvillim të theksuar shihet edhe kur i shohim projektet rajonale të përkrahura nga BE. Edhe aty Kosova ka thuajse më së paku projekte.
Në nivelet më të larta në Bruksel thuhet që Kosova zakonisht vjen e papërgatitur dhe nuk ka projekte, vizion e ide të gatshme e të pjekura për të financuar projektet e mëdha. Shumica e projekteve rajonale përfundojnë në vendet tjera të rajonit.
E sikur kjo të mos mjaftonte, ne gjithashtu jemi nën masa nga projektet e BE-së tashmë me vite. Fatkeqësisht, arsyeja kryesore pse jemi është gjithashtu nacionalizmi. Thuhet që fakti që Prishtina dërgoi disa kryetarë pa legjitimitet në komunat veriore të Kosovës është shkaktari kryesor i masave të BE-së që disa i quajnë sanksione.
E për ironi, tash ato veprime nacionaliste nuk kanë më shumë peshë, sepse pas zgjedhjeve të 12 tetorit, përsëri kryetarët e pakicave serbe në veri do të kthehen në komunat ku banojnë serbët lokalë si shumicë.
Në përgjithësi, nacionalizmi që shohim vitet e fundit në Kosovë duket se e ka bazën në shekullin XIX, pra i vonuar, për shkak se bota ka ecur përpara dramatikisht. Krijojet përshtypja që Kosova vitet e fundit është kthyer në kohën e “Kongresit të Berlinit”. As mprapa dhe pa sens e logjikë, kur bota ka ndryshuar pakthyeshëm në shumë aspekte.
Kjo qasje nuk po i jep e kthen rezultate Kosovës. Vendi po stagnon e nuk po ka përparim. Jemi nën masa nga BE dhe të izoluar nga miqtë tanë.
Nacionalizmi, rrjedhimisht, si koncept dhe doktrinë, nuk është në interesin e Kosovës. Duket si një koncept historik që po e stagnon Kosovën por edhe po e kthen mbrapa. Kosova sot ka shumë më pak miq sesa që kishte më herët. Gjithashtu pozita e saj është përkeqësuar dukshëm, sidomos tek aleatët që e çliruan Kosovën, e sollën pavarësinë dhe i ruajnë kufijtë e sovranitetin e saj.
Por nuk është vetëm puna e miqve dhe aleatëve pa të cilët Kosova nuk mund të mbijetojë as disa ditë. Kosova duket se është ngulfatur edhe me ide, vizion e koncepte. Nuk ka ide e diskutime zhvillimore, as projekte që e përmirësojnë pozitën e saj dhe e kthejnë besimin e shpresën për të ardhmen.
Kjo duhet të ndryshojë, nëse dëshirojmë të ndërtojmë një të ardhme më të qëndrueshme dhe prosperuese. Fokusi duhet të largohet nga nacionalizmi i padobishëm dhe të kthehet tek projektet zhvillimore, sipërmarrësia e biznesi, si dhe investimi në shkencë, teknologji e inovacion.






