Njohësi i politikave, Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për, siç thotë ai, përpjekjet për të joshur votuesit tradicionalë të LDK-së përmes simbolikave të Ibrahim Rugovës dhe organizimeve si “Darka e Lamës”.
Sipas Muharremit, këto janë skema të LVV-së për të krijuar një përshtypje artificiale, ndërsa thekson se “Guxo” nuk është trashëgimtare e Rugovës, por një instrument i oportunizmit politik.
“Darka e Lamës” dhe Gjahu i Kurtit për votat e LDK-së e Rugovës. Flamujt e Rugovës dhe Darka e Lamës janë instrumente të marketingu elektoral nga Kurti dhe LVV. Me qëllimin e vetëm me i ve në lajthitje një grup të elektoratit të LDK-së duke sugjeruar gabimisht që Guxo janë pasaredhësit e Rugovës. Edhe pse absurde, ky ishte qëllimi pse u mbajtën flamujt në fushatë elektorale dhe pse u organizuan darka.
Kur u organizu Darka e Lamës nga një ministri e qeverisë së Kurtit, ishte për habi nga të gjithë. Por tash po shihet që kjo ka qenë një tentim i radhës, apo një skemë e radhës ku Albin Kurti përmes Guxo-s ka tentu me i ruajt votat që ia mori ‘përkohësisht’ LDK-së më herët.
Kur u ftohën marrëdhëniet me Vjosa Osmanin, LVV e Kurti nisën menjëherë fushatën për me e paraqit Guxo-n si “trashegimtare” të Rugovës. A ju kujtohen flamujt e Rugovës nëpër tubime të LVV-së? Edhe “Darka e Lamës” e ministrive është zhvillu për një arsye të njejtë. Me kriju përshtypje artificiale.
E vërteta është që LVV ska kurgjo me Rugovën, pamvarësisht tentimeve me qëllime elektorale. LDK është e vetmja që trashëgon Rugovën dhe rugovizmin. Guxo nuk ka lidhje me këtë frymë, përveç nëse frymë quhet oportunizmi politik.
Albin Kurti duhet me i lënë votat e huaja rahat. Ato nuk bëhen të tuat, sado që i paketon me flamuj e me darka. Për një moment mundesh me tentu me kriju një përshtypje artificiale, por identiteti politik nuk falsifikohet gjatë”.