Analisti ekonomik Shenoll Muharremi ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me bilancin e energjisë elektrike në Kosovë për periudhën janar-prill 2025.
Ai ka analizuar të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke vënë në dukje një rritje të ndjeshme të importit të energjisë dhe një rënie të prodhimit të brendshëm, veçanërisht nga termocentralet e KEK-ut.
Sipas Muharremit, gjatë katër muajve të parë të këtij viti, në Kosovë janë prodhuar gjithsej 2,151,205 MWh energji elektrike, prej të cilave 1,912,174 MWh janë prodhuar nga KEK, 109,190 MWh nga hidrocentralet, dhe 129,841 MWh nga burimet e erës dhe diellit. Nga kjo sasi, vetëm rreth 11 për qind përbëhet nga burimet e ripërtërishme.
Një shqetësim i veçantë është ngritur për muajin prill, ku KEK ka prodhuar vetëm 321,834 MWh – një rënie e ndjeshme krahasuar me muajt e tjerë, ku zakonisht prodhimi kalonte shifrën prej 500,000 MWh. Muharremi thekson se në këtë muaj Kosova ka importuar më shumë energji sesa ka prodhuar KEK.
Duke iu referuar të dhënave të ASK-së, ai thotë se në periudhën janar-prill janë importuar 1,500,277 MWh energji. Nëse kjo sasi e importuar llogaritet me një çmim mesatar prej 150 euro për MWh, atëherë kostoja totale e energjisë së importuar arrin në rreth 225 milionë euro.
“A është e mundur që Kosova ka importuar energji në këtë vlerë vetëm për katër muaj?”, pyet Muharremi, duke ngritur kështu shqetësimin për qëndrueshmërinë e sistemit energjetik dhe kostot që po përballon vendi.