Kryetari aktual i Suharekës, Bali Muharremaj dhe kandidati edhe për një mandat ka thënë se garës i ka hyrë për ta fituar pa balotazh.
Ai ka thënë se secili kandidat që i hynë garës synon fitore dhe kjo siç ka thënë ai do të shihet më 12 tetor.
Muharremaj ka folur edhe për dy largimet nga AAK në këtë komunë, Blerim Kuçi dhe ish- drejtori në këtë komunë, Hamdi Bytyqi nga AAK i cili tash është kandidat për kryetar të LVV-së.
“Sa i përket shkuarjes së kolegëve të mi, unë ju urojë fat dhe suksese, i kam pas bashkëpunëtor, kemi punuar bashkë. Në demokraci lejohet me mendua ndryshe, është çështje e tyre. Mirpo asnjë fjalë nuk e kam më shumë, pasi kam punuar edhe rrugëtuar bashkë edhe me z. Kuci edhe z. Bytyqi, që sot është kandidat i VV-së. Unë kam hyrë me fituar pa balotazh”, ka thënë Muharremaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
I pyetur për largimin e Bytyqit i cili është kandidatë i LVV-së për kryetar të kësaj komune, se a nuk kishte Vetëvendosjes kandidat më të mirë, Muharremaj ka thënë se e kanë llogaritë më të mirin dhe e kanë marrë.
“Derisa nuk kanë pas më të mirë e kanë llogaritë që është ma i mirë dhe e kanë marrë. Po me vjen mirë që Aleanca ka arritur me ju dërgu kuadro parive tjera në Suharekë”, tha ai.