Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur se rrogën e tij të muajt shkurt do ta kalojë në Fondin për Siguri, të hapur sot nga Qeveria e Kosovës.
Ai tha se konsideron që është momenti i duhur që Kosova ta avancojë ushtrinë e saj.
“Si ushtarak me profesion, por edhe si ish-pjesëtar i UÇK-së, e konsideroj se është momenti i duhur ta ndihmojmë avancimin e ushtrisë sonë, pra Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Muharremaj.
I pari i komunës së Suharekës u ka bërë ftesë deputetëve, ministrave dhe udhëheqësve të dikastereve të tjera që t’i ndajnë të ardhurat e tyre për sigurinë e vendit.
“Megjithëse qytetarët tanë po përballen edhe me rritje çmimesh, si në energji elektrike e shumë të tjera, le ta bartim më shumë ne udhëheqësit peshën e kësaj situate”, ka thënë Muharremaj.
Kujtojmë se sot, Qeveria e Kosovës ka hapur Fondin për Siguri, ku kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë thirrje që të dhurohen donacione në mënyrë që të përdoren për sigurinë shtetërore.