Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, përmes një postimi në Facebook, ka renditur liberalizimin e vizave, pranimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit, duke i konsideruar ato si zhvllime të mëdha brenda një jave falë punës se kryeministrit Kurtit.
Hapin final për liberalizimin e vizave deputeti Muja e futi në mesin e arritjeve të qeverisë Kurti.
Si sukses të dytë, ai e përmendi pranimin e aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Deputeti i VV-së shkroi edhe për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit gjatë ditës së djeshme, të cilat, sipas tij, kanë forcuar sovranitetin e Kosovës.
“Brenda vetëm një jave kemi: 1) Liberalizim të vizave, lëvizje e lirë për BE me pasaportën e Republikës së Kosovës, 2) Forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës, me pranimin e aplikimit në Këshillin e Evropës 3) Forcim të sovranitetit të Republikës, me mbajtjen e zgjedhjeve. Puna e mbarë, Albin Kurti” – ka shkruar Muja në Facebook.
Kujtojmë se para disa ditësh eurodeputetja Viola von Cramon, në një intervistë për T7, lidhur me vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, tha se ky është sukses i qeverive të ndryshme në Kosovë dhe jo rezultat i vetëm një qeverie të caktuar.
“Kuptohet që Bashkimi Evropian nuk ka aq shumë merita. Me shumë mundësi arritja erdhi nga Qeveri të ndryshme, nga akterë të ndryshëm politik të cilët punuan dhe u siguruan që të gjitha kriteret të përmbushen. Kështu që nuk do ti jepja merita vetëm për një Qeveri të caktuar, por për të gjithë ata që kanë marrë pjesë,” – ka deklaruar eurodeputetja.