Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka reaguar lidhur me vjedhjen e targave të veturave të kosovarëve në Lubjanë, gjatë ndeshjes së futbollit Kosovë-Slloveni, të shtunën e kaluar.
Në një postim në Facebook, MPJD ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit kosovarë të prekur dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni njofton se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Slloveni–Kosovë, ka pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre. Bazuar në raportimet e deritanishme, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat. Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me disa prej shtetasve të prekur dhe u ka rekomanduar atyre që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar. Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, thuhet në reagimin e MPJD-së.






