Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e cila drejtohet nga Donika Gërvalla, ka shkarkuar Yllka Gecin nga pozita e sekretares së parë në Ambasadën e Kosovës në Holandë.
Përpos punës në Ambasadën e Kosovës në Holandë, Geci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe për UÇK-në, veçanërisht për liderët e saj të cilët gjendën në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Geci në një postim në “Facebook” ka treguar për angazhimin e saj në Ambasadën e Kosovës në Hagë dhe për mbështetjen e liderëve të UÇK-së.
“Përgjatë gjithë kohës, përveç punës zyrtare, unë pashë peripecitë e familjarëve të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veslit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës, Pjetër Shalës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit. Si një familjare që kam përjetuar të njëjtat procese, bashkëndjeva dhimbjen e tyre në çdo frymëmarrje. Unë po kthehem në Kosovë, në atdheun tonë, lirinë e të cilit na e sollën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, tetë prej të cilëve po mbetën në Hagë, dhe ky fakt është i vetmi që mua më mërzitë. Ndoshta këtë mund ta kuptojnë vetëm ata që kanë zemrën në anën e duhur dhe lirinë e këtij vendi e shohin si vlerën më të lartë të jetës”, ka shkruar Geci.