Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 2025 kishte blerë 500 copë libra “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me qëllim të shpërndarjes përmes misioneve diplomatike të Kosovës. Por, ekspozita që përbëhej nga të dhënat e këtij libri u pezullua nga Komuna e Prishtinës.
Kontratën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe “Dukagjinit” ka vlerën e 14 mijë e 999 eurove.
Kjo kontratë u planifikua të nënshkruhej më 14 maj të vitit 2025, derisa detyrën e ministres e ushtronte Donika Gërvalla. Ministria e Jashtme kishte kërkuar t’i blinte 500 copë libra.
Sipas përshkrimit të kontratës, nga shpërndarja e këtyre librave synohej të arrihen efekte të “Ngritjes së vetëdijes ndërkombëtare”.
Gjithashtu përmes këtij libri synohej t’i jepej një pasqyrë zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë derisa në përshkrim thuhej: “Shumë vende ende nuk e kanë një kuptim të plotë apo të saktë të asaj çfarë ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Një libër që paraqet fakte të verifikuara ndihmon në ndriçimin e opinionit ndërkombëtar dhe forcon kauzën e drejtësisë”.
Por, pikërisht për shkak të mos verifikimit të këtyre fakteve apo informacioneve të paraqitura në ekspozitë, Komuna e Prishtinës pezulloi lejen.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se versioni i Masakrës së Dubravës është i pasaktë dhe i pa pranueshëm.
“Jo në Prishtinë. Nuk lejojmë që në sheshin e Kryeqytetit tonë të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit tonë. Ekspozita e financuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet një version të pasaktë dhe të papranueshëm të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës. Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze”, ka shkruar mbrëmë Rama.
Gjithashtu, reagim për këtë ekspozitë pati edhe nga Kuvendi i Kosovës që është financues i këtij projekti.
“Sqarim për media: Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj. Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm. Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetesimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës”, ka reaguar Kuvendi i Kosovës në Facebook.
OJQ “Integra” reagoi në Facebook duke thënë se Kosova nuk ka listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.
“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë…”, thuhet në paragrafin e parë të reagimit të OJQ “Integra”.







