Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit serb se bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve për aplikim të konvertimit të patentshoferëve nga ato jo legale serbe në patentshoferë të Republikës së Kosovës si dhe kërkesën për zgjatje të afatit konvertim, afati është zgjatur deri me 23 gusht 2024.
Të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shofer të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shofer zyrtar të Republikës së Kosovës në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente në Republikën e Kosovës.
Që nga data 9 maj me hyrjen në fuqi të këtij vendimi e deri më tani, kanë aplikuar 5787 qytetarë nga radhët e komunitetit serb për konvertimin e patentshoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentshoferë zyrtar të Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme falënderon qytetarët që kanë përfunduar procesin e konvertimit si dhe ftojmë të gjithë të tjerët që ende se kanë përfunduar që të shfrytëzojnë afatin shtesë të ofruar.
Pas kësaj date, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentshoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi.