MPB për xhamat e zinj në vetura: Vendosja e folieve është e ndaluar

- Advertisement -

Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një njoftim lidhur me përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke sqaruar se ato lejohen vetëm në rastet kur janë të tilla që nga prodhuesi.

Sipas kësaj ministrie, vendosja e folieve apo letrave ngjitëse për errësimin e xhamave është e ndaluar, përveç në raste të veçanta që kërkojnë miratim të posaçëm nga MPB-ja.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi, lejohet përdorimi i xhamave të errët vetëm për automjetet që dalin të tilla nga fabrika. Vendosja e materialeve ngjitëse për hijezim nuk lejohet, përveç rasteve të jashtëzakonshme që miratohen me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas shqyrtimit të një kërkese të arsyetuar dhe dokumentacionit përkatës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, MPB-ja ka bërë të ditur se më 24.02.2026, Departamenti Ligjor ka nxjerrë një opinion ligjor që sqaron se kjo çështje rregullohet në mënyrë të plotë nga Udhëzimi Administrativ Nr. 12/2024, dispozitat e të cilit janë të qarta dhe të detyrueshme për zbatim.

Ministria thekson se çdo interpretim apo veprim që bie ndesh me këto rregulla është pa bazë ligjore dhe dëmton zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit.

Të ngjashme

Të fundit