Me rritjen e temperaturave dhe rrezikut të shtuar për zjarre, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë një apel për kujdes të shtuar nga qytetarët gjatë sezonit të verës.
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndarë një komunikatë zyrtare nga AME ku ka paralajmëruar për pasojat e rënda që mund të shkaktojnë zjarret në pyje, fusha dhe hapësira të hapura, të cilat jo vetëm që sjellin dëme të mëdha materiale dhe ndotin mjedisin, por edhe rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Zjarrëvëniet janë vepër penale. Qëllimshmëria apo pakujdesia në shkaktimin e zjarrit është e dënueshme me ligj dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë të lartë dhe bashkëpunim qytetar. Çdo person që shkakton zjarr, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, do të përballet me ndjekje penale në rast të dëmtimit të pronës publike, private apo rrezikimit të jetës së njerëzve dhe natyrës.
Në rast zjarri, mos hezitoni të lajmëroni shërbimet emergjente:
Qendra Emergjente – 112
Zjarrfikësit – 193
Policia e Kosovës – 192
Zyrtarët kujtojnë se çdo qytetar ka një rol vendimtar në parandalimin e zjarreve dhe se një veprim i shpejtë mund të shpëtojë jetë, të mbrojë pronën dhe të ruajë mjedisin.
“Bashkë për siguri, jetë dhe mjedis!”, thuhet në njoftim