Trajneri i Fenerbahces, Jose Mourinho, beson se nuk po merr merita mjaftueshëm për serinë e fitoreve të skuadrës së tij nga mediat lokale, dhe ka kërkuar që ta lënë të punojë i qetë.
Skuadra e Mourinhos është e dyta në Super Ligën Turke dhe ka fituar pesë ndeshje radhazi, duke përfshirë triumfin 3:1 të së hënës në shtëpi ndaj Gaziantep.
Fenerbahçe është në vendin e dytë në tabelë, tre pikë më pak se lideri Galatasaray.
“Por ata [mediat lokale] ende më ‘vrasin’ mua”, tha Mourinho në një konferencë shtypi pas lojës. “Më jepni pak merita. Mos u mundoni të bëni me mua atë që i është bërë Giovanni van Bronckhorstit [te Besiktas]. Unë nuk njoh asnjë trajner që në tre, katër, pesë muaj mund të bëjë mrekulli, mund të ndryshojë gjërat. Për mua ai [Van Bronckhorst] po bënte një punë të shkëlqyer”.
Besiktas ndau shoqërinë me Van Bronckhorst të shtunën pasi ekipi i tij kishte marrë vetëm një fitore në gjashtë ndeshje.
Mourinho, i cili mori drejtimin e Fenerbahce në verë gjashtë muaj pas largimit nga Roma, tha për Besiktas: “Rezultatet e fundit nuk ishin më të mirat, por ju keni këtë kulturë dhe kjo është një kulturë që shkon kundër stabilitetit. Klubet dhe lojtarët që të evoluojnë, kanë nevojë për stabilitet edhe në trajnerët e tyre, në filozofinë e trajnerëve të tyre. Kështu që më jepni pak pushim, më lejoni të punoj në paqe, por nëse nuk është në paqe, nuk ka problem, unë ende kënaqem.”
Fenerbahce ka shënuar më shumë gola se çdo skuadër tjetër në Superligë dhe ka pësuar më pak.
I pyetur se si ekipi i tij ka arritur të shkojë në një ecuri pozitive pavarësisht kalendarit të ngjeshur, i cili përfshinte edhe një pushim ndërkombëtar në nëntor, ai tha: “Ky kalendar është për çdo ekip që është në Evropë. Është kur duhet të përdorësh skuadrën. Nëse luani gjithmonë me të njëjtët lojtarë, ata do të digjen. Duhet t’i besoni skuadrës. Duhet t’u jepni një mundësi njerëzve të freskët për të luajtur. Unë kam lojtarë të mrekullueshëm në bankë, plot opsione. Me bankë si kjo, një trajner është një trajner i lumtur; dhe një trajner nuk ka asnjë frika nga grumbullimi i ndeshjeve në kalendar”.