Agjenti i njohur, Jorge Mendes i ka ofruar klientin e tij, Jose Mourinhon, që të pasojë Xavi Hernandez dhe të bëhet trajneri i ri i Barcelonës.
Dje (e martë), Mourinho u shkarkua nga Roma, të cilën e drejtoi për dy vite e gjysmë dhe sipas El Nacional, Mendes ia propozoi këtë ide presidentit të Barcelonës, Joan Laporta.
Shkak bëhet fakti se katalanasit janë vetëm në vendin e katërt në La Liga, ndërsa së fundmi kanë humbur 4-1 nga Real Madridi në finalen e Superkupës së Spanjës.
Në fillim të karrierës së tij si trajner, Mourinho ishte një asistent i Sir Bobby Robson dhe Louis Van Gaal në Barcelonë, dhe si trajner më vonë ai drejtoi Benfica, Leiria, Porto, Chelsea, Inter, Real, Manchester United dhe Tottenham.
Nga ana tjetër, Xavi e mori Barcelonën në vitin 2021 dhe kontrata e tij është e vlefshme deri në fund të sezonit 2024/25.
Deri më tani, ai ka kaluar 118 ndeshje në stol dhe ka fituar kampionatin e Spanjës dhe Superkupën e Spanjës me ekipin Blaugrana në sezonin 2022/23.
Kujtojmë se Barcelona është vetëm në vendin e katërt në La Liga dhe tetë pikë prapa liderit Girona. Real Madrid dhe Athletic Bilbao janë gjithashtu përpara tyre në renditje.