Të ndarë në mendime mbi kontributin e Presidentes Vjosa Osmani në politikë dhe promovimin e rolit të grave në Kosovë, dy personalitete të njohura të skenës politike, Arta dhe Zana Avdiu, kanë shprehur pikëpamjet e tyre në një intervistë të fundit në Nacionale në pyetje të ndryshme të gazetarit Mirlind Behluli.
Lidhur me rolin e grave në Kosovë, Arta Avdiu theksoi se roli i grave është përtej kuzhinës dhe martesës. Më tej ajo tha se për të kuptuar pozitën e tyre dhe të ndikojnë në jetën e tyre, gratë duhet të kultivojnë një vetëdije të thellë duke i hyrë literatures. Avdiu tha më tej se fakti që kemi një grua Presidente të Kosovës shërben pozitivisht në mendësinë e vajzave të vogla.
“Kur i sheh vajzat e vogla, mënyrën se si i edukojnë, i edukojnë për t’u martuar dhe për kuzhinë. Derisa të rritësh dhe të bëhesh goxha e vetëdijshme dhe t’i hysh një literature të thellë, ti s’mund ta kuptosh realisht cila është pozita jote dhe çka duhet të bësh me jetën tënde. Tash kur një vajzë e vogël e sheh që e ka presidente, ministre, atëherë që nga mosha e hershme e sheh që vendi nuk është në kuzhinë ose të martohet” – tha Arta.
Ndonëse në këtë pikë janë në të njëjtin mendim, Zana Avdiu është shfaqur kritike ndaj veprimtarisë së presidentes Osmani, duke iu referuar mungesës së ndonjë kontributi konkret për pozitën e grave në Kosovë.
Ajo shprehet se, në mendimin e saj, Osmani nuk ka arritur të sjellë ndonjë ndryshim të madh për rolin e grave dhe nuk ka kontribuar në pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Nuk pajtohemi për Vjosa Osmanin, për Presidenten. Unë jam shumë e kënaqur me Presidenten, Zana ka qenë kundër gjithë” – tha Arta fillimisht.
“Në fakt unë nuk jam e kënqur me asgjë nga ajo. Vjosa që ka qenë në opozitë dhe Vjosa që është tash ka një dallim tepër të madh. Nuk është që ka bërë diçka as për pozitën e grave, nuk është që ka bërë asgjë për pozitën e Kosovës.” – tha Zana.