Avokati Tomë Gashi, në një lidhje direkt në “Breaking” ka treguar detaje nga hetimi për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje që tronditi opinionin publik. Gashi tha se policia ka pasur prova që në fillim se Naimi ishte personi që ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortes.
“Naim Murseli ka qenë shoferi. Bashkëshortja ka qenë fare pranë. Ai ka dalë nga makina kur ka ardhur vrasësi me maskë, është supozuar që është një plaçkitje. Ai mori fëmijët, por la bashkëshorten. Sipas dëshmive, kur u largua, dëgjoi një krismë, por nuk u kthye. Policinë nuk e mori me telefonin e tij, i tha shitëses në market. Që këtu, policia mund ta kuptonte se diçka nuk shkonte. Pastaj tha në dëshmi se sa ditë fjeti në një hotel, kjo mund të verifikohej lehtë. Policia i zbuloi këto gjëra kur pa kamerat, u pa makina që ishte marrë me qira për disa ditë. Përmes makinës, u identifikua kush është vrasësi. Kur vrasësi tregoi për 30 mijë eurot që i ishin premtuar, hetimi u zgjerua, u pa që ishte dhe një i afërm i përfshirë”,tha Gashi.
Babai i Naim Murselit ka thënë se djali i tij mund të kishte romancë me një grua. Avokati Tomë Gashi deklaroi se motivi që ka shtyrë Naim Murselin të vrasë gruan e tij, me siguri që ka qenë i frikshëm. Sipas tij, motivi ka qenë aq i frikshëm, sa Naimi donte ta kryente vrasjen e bashkëshortes së tij atë ditë.
“Ai po ndryshon deklaratat për të fshehur motivin e vërtetë. Ka folur për mesazhe që pretendon se i ka parë Liridona. Edhe babai i tij ka folur mesazhet që tregojnë se Naim Murseli ka pasur një lidhje me një grua të një të afërmi të tij. Unë mendoj se Naim Murseli është duke fshehur motivin e vërtetë. Duket se për Naimin, motivi ka qenë aq i frikshëm, sa ka vendosur që atë ditë të kryhet vrasja e bashkëshortes dhe motivi është ai që e ka frikësuar. A ka qenë i shtyrë nga dikush? A ka pasur Liridona informacione? Mendoj që Naimi po jep një motiv të vockël, por motivi kryesor është i fshehur”, u shpreh avokati Gashi.
Më tej, Tomë Gashi hedh dyshime mbi telefonat e Naim Murselit dhe Liridona Ademajt, që nuk janë gjetur nga Policia e Kosovës. Ai tha se kush posedon telefonat, mund edhe të kërcënojë apo shantazhojë personat e tjerë të përfshirë në këtë rast. “Si është e mundshme që u zhdukën provat, edhe të Liridonës, edhe të Naimit. Megjithatë, motivi është ai që besoj e ka nxitur Naim Murselin që të organizojë vrasjen e Liridonës. Policia duhet të gjejë nëse telefonat i mori dikush. Mund të ndodhë që kush ka ato telefona të shantazhojë dikë të tjerë të përfshirë, por ky është thjesht hamendësim”, përmbylli Tomë Gashi.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën.