Lajme

Mosplotësimi i kërkesave, zjarrfikësit paralajmërojnë protestë

By GAZETA SCANNER

November 20, 2023

Rreziku është prezent në shumicën e intervenimeve që kryejnë, por zjarrfikësit mbeten jashtë listës së shtesave për rrezikshmëri.

Fakt që nuk u mirëprit, për çfarë janë aktivizuar për ta kundërshtuar dhe hapi i parë është protesta.

“Ne do t’i drejtohemi Qeverisë. Vendimi është marrë, është zgjedhë Këshilli protestues, protesta do të mbahet më datë 30 nëntor, për shkak se ju kemi dhënë edhe një herë kohë dhe hapësirë. Të na ftojnë në takim takim të diskutojmë e të analizojmë gjendjen”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Muharrem Beka – kryetar i Sindikatës së Zjarrëfikësve.

Beka ka bërë thirrje që institucionet të reflektojnë ndaj kërkesave të zjarrfikësve, të cilat, siç e përmend ai, nuk janë të reja.

“Ne po shpresojmë dhe po apelojmë edhe një herë që këto kërkesa të drejta, kjo gjendje e krijuar, ky shqetësim i joni të jetë edhe shqetësim i institucioneve, dhe të analizojnë gjendjen mirë e mirë dhe të dalim prej kësaj situate, e cila është krijuar pa nevojë, pa arsyeshëm dhe shpresojmë që më në fund zjarrfikësit të trajtohen dinjitetshëm”, deklaroi tutje Beka.

Me plotësimin e kërkesave, zjarrfikësit thonë se do të ndiheshin më të vlerësuar.

“Punën nuk është se na e lehtësojnë, pra, puna është e njëjtë, misioni është i njëjtë, të cilin na e kemi, por që është motivi që ngrihet edhe shihet që përveç pagës, e ke edhe vlerësimin që ta jep si institucion i rëndësishëm”, deklaroi Mal Gashi – komandant i Brigadës së Zjarrfikësve.

Zjarrfikësit, përveç kompensimit të rrezikshmërisë në punë, sigurimeve shëndetësore, kërkojnë edhe rritje të stafit me zjarrfikës të ri si dhe kompensime për orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe ndërrimet e natës për vitet 2022 dhe 2023.

Gjithashtu ata kërkojnë edhe t’u qartësohen kompetencat menaxhuese dhe t’u sigurohen kushtet e punës dhe shujta.