Kështu deklaruan Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, pasi kishin nënshkruar marrëveshjen që i bëri ata të fitues të zgjedhjeve dhe të zgjidheshin Presidente dhe Kryeministër.
“Do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim”, kjo frazë e Kryeministrit Kurti, tashmë mund të duket si mashtrim për qytetarët, përkatësisht votuesit e Osmanit dhe Kurtit.
Tensionet e fundit të krijuara mes krerëve të pushtetit natyrshëm kontestojnë legjitimitetin e një qeverie kur partnerët e koalicionit përfshihen në konflikte të hapura.
Konfliktet mes partnerëve të koalicionit mund të paralizojnë proceset legislative dhe të bllokojnë reformat që janë të nevojshme për zhvillimin e vendit.
Incidenti i 1 gushtit në Aeroportin e Shkupit, vuri seriozisht në dyshim raportet ndërmjet Presidentes dhe Kryeministrit, apo – thënë ndryshe – hoqi dyshimet se krisjet e raporteve ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit janë tashmë më së reale, dy partnerë që morën 51 për qind të votave në Kosovë.
Pak ditë pasi Presidentja Osmani u përballë me një kontrollë të rreptë nga sigurimi i aeroportit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, i pari i Qeverisë së Kosovës, shkoi për vizitë atje.
Nga atje, ai shpërfilli komplet ankesat e të parës së shtetit, duke u mjaftuar me deklarimin se “presim rezultatet nga Policia e Maqedonisë së Veriut”.
Reagimi i Presidentes ishte i menjëhershëm, e cila tha se “është për keqardhje si u trajtua incidenti i aeroportit – propagandë kundër Kosovës”.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.” – thuhet në komunikatë.
Krisja e raporteve mes krerëve të shtetit nuk e ka zanafillën në incidentitn e Aeroportit të Shkupit.
Në fundin e muajit korrik, Presidentja i kishte ftuar kryetarët e partive politike të Kosovës për të caktuar ditën e zgjedhjeve.
Në këtë takim mungoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse e kishte konfirmuar se data e takimit ishte “OK”.
Ajo që do të pasonte shtoi edhe më shumë tensionet ku edhe ministrat Gërvalla e Peci, të cilët siguruan votat bashkë me Vjosa Osmanin në Listën Guxo, u rreshtuan kah Kurti.
Në të gjitha takimet me mërgatën, të organizuara nga Vetëvendosje, ishin edhe Gërvalla e Peci.
Madje Osmani dhe Gërvalla, thumbuan njëra-tjetrën edhe me tekste të këngëve të Dafina Zeqirit.
Në dritën e përplasjeve mes krerëve të shetit, kapaciteti i qeverisë për të udhëhequr vendin deri në zgjedhjet e reja mbetet i paqartë./Nacionale/.