Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, për herë të parë që nga viti 2011, këtë vit nuk është miratuar ende në Qeveri dhe nuk është dërguar në Kuvend.
Afati ligjor për miratim ka qenë data 30 prill 2025, por deri më tani nuk ka pasur asnjë aprovim përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës, shkaku i mos-konstituimit të Kuvendit. Kjo ka shkaktuar shqetësime të mëdha, veçanërisht për komunat, të cilat rrezikojnë të përballen me vështirësi në hartimin e buxhetit për vitin 2026.
Korniza Afatmesme e Shpenzimeve është një dokument strategjik buxhetor në Kosovë, që shërben si bazë për planifikimin e buxhetit të shtetit dhe komunave. Ajo përfshin parashikime makroekonomike, të ardhura dhe shpenzime, si dhe vlerësime për burimet dhe nevojat për financim. Si e tillë, ajo është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe funksionimin financiar të shtetit dhe komunave në Kosovë, ndërsa vonesa ose mungesa e saj sjell rreziqe konkrete në shumë fusha.
Njohësi i ekonomisë në Kosovë, dhe njëherësh edhe përfaqësues i Institutit GAP, Blendi Hasaj, ka kritikuar qeverinë dhe partitë politike në Kosovë për “lojërat” që po bëjnë pas zgjedhjeve qendrore dhe para atyre lokale, si dhe për moskonstituimin e Kuvendit.
Ai ka ngritur alarmin fillimisht për mosmiratimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (2026-2028) në Kuvend (dokument ky që i paraprin hartimit të buxhetit vjetor) – duke rrezikuar seriozisht miratimin e buxhetit vjetor për vitin 2026, si dhe për qasjen e nivelit lokal, ku gati 10 komuna nuk e kanë votuar buxhetin lokal për vitin 2026 deri më datë 30 shtator 2025. Sipas Hasajt, gati të gjitha këto komuna rrezikojnë të marrin buxhet pa rritje për vitin që vjen.
“Dokumenti tejet i rëndësishëm që i paraprin hartimit të buxhetit vjetor, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, për herë të parë këtë vit (të paktën që nga viti 2011) nuk është votu në Qeveri dhe nuk është dërgu në Kuvend, ku Ministria e Financave ka shku direkt në lëshimin e qarkoreve buxhetore. Pra pa u shtjelluar asku qëllimet e sfidat afatmesme, pa u bë ndërlidhja e buxhetit me objektivat zhvillimore, etj”, ka shkruar ai në facebook.
“Niveli lokal ka nisë ta ndjekë qasjen e nivelit qendror të të bërit politikë e populizëm edhe në kurriz të buxhetit vjetor, edhe pse do të dëmtohen votuesit e tyre në fund të ditës, ku sot i ke gati 10 komuna që se kanë votu buxhetin e vitit 2026 deri më 30 shtator 2025”, ka vazhduar ai.
Gjithashtu, Hasaj potencon se plot komuna në Kosovë, sot janë në kaos total nga proceset përmbarimore, ku paratë nuk janë duke u shpenzuar sipas qëllimit fillestar.
“Rrjedhimisht janë duke u bë më pak investime e tatimet e qytetarëve s’janë duke e pasë kthimin e merituar. Por që askujt nga politika nuk i bën përshtypje kjo punë”, shkroi Hasaj.
Ai thotë gjithashtu se deri në dhjetor të këtij viti duhet të bëhet gati dhe të votohet buxheti i shtetit për vitin 2026, përderisa në anën tjetër, Kosova ende nuk ka Kuvend të konstituuar për ta votuar atë.
“Buxheti mbetet instrumenti më i rëndësishëm me të cilin mundesh me i japë mbështetje ekonomisë, grupeve të margjinalizuara, me e përmirësu infrastrukturën e tërheqë investitorë, e nxitë ndryshime strukturore nëpër sektorë. Andaj, mirëfunksionimi i të gjitha hallkave në procesin e hartimit e shpenzimit të buxhetit është tejet domethënës”, shpjegon tutje Hasaj.
Sipas ligjit për Menaxhimin e Financave Publike në Kosovë, Qeveria duhet të miratojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve deri më 30 prill të vitit që i paraprin periudhës së re trevjeçare, gjë që nuk ka ndodhur. Pastaj, Ministria e Financave duhet të lëshojë Qarkoren e Parë Buxhetore deri më 15 maj për komunat, për t’i udhëzuar ato në hartimin e buxheteve lokale. Më pas, Korniza, pasi të miratohet nga Qeveria, dërgohet në Kuvend për informim — ajo nuk duhet të votohet si ligj që detyron Kuvendin për ndryshim, por Kuvendi duhet të marrë informacionin sa i përket saj.
Një nga arsyet për këto vonesa është mos‑konstituimi i Kuvendit të Kosovës, që ka penguar plotësimin e Komisionit të Granteve, një organ që duhet të japë aprovim për disa elemente të planifikimit buxhetor.
Si përfundim, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve nuk është thjesht një dokument formal, por është themeli i gjithë planifikimit buxhetor në Kosovë. Vonesa e këtij dokumenti ka pasoja reale: nga pagat e mësuesve dhe shërbimet komunale, te ndërtimi i infrastrukturës dhe marrëdhëniet me donatorët ndërkombëtarë. /Buletini Ekonomik/