17.9 C
New York
Wednesday, September 10, 2025

Buy now

Moskonstituimi i Kuvendit dhe bllokimi i ekonomisë, Shatri: Nëse vazhdon kështu, do t’i vihet dryri shtetit

- Advertisement -

Që nga zgjedhjet e shkurtit 2025, pas shumë tentativash dhe seancash, Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pazgjedhur dhe jo funksional.

Ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, tha për GazetaBlic se pas zgjedhjeve janë ashpërsuar problemet me zbatimin e buxhetit. Sipas tij, në gjashtë muajt e parë janë shpenzuar vetëm 230 milionë euro, shumica në nivel komunal, ndërsa niveli qendror ka mbetur pas me realizim nën një të tretën.

“Në këtë vit, sidomos pas zgjedhjeve, këto probleme janë ashpërsuar dhe, sipas raportit 6 mujor të buxhetit, mjetet e buxhetit për këtë vit, brenda 6 muajve, janë shpenzuar me një dinamikë shumë më të ulët. Janë 230 milionë euro, nga të cilat afro gjysma janë realizuar në komuna, sepse atje pushteti ende ka qenë me autoritet të plotë pushteti lokal sepse zgjedhjet do të jenë në tetor dhe kanë punuar, kurse niveli qendror, praktikisht me 130 milionë sa janë realizuar për 6 muaj, i bie as 1/3 e shumës vjetore të paraparë nuk është realizuar. Edhe këtë vit është ky problem. Ka pasë dështime e mangësi. Është thelluar në këtë vit për arsye se qeveria nuk ka kompetenca të plota. Janë të demotivuar ata njerëz edhe me u marrë me aktivitete të tjera dhe tash shikojnë se ku po pozicionohen, kush po fiton. Drama që po i përcjellim çdo ditë lidhur me konstituimin e Kuvendit që po zvarritet pafundësisht dhe gjithnjë në dëm të vendit edhe të standardit të jetës së qytetarëve. Kjo më së shumti do të pasqyrohet dhe reflektohet në përgatitjen e buxhetit 2026. Buxheti për vitin që vjen duhet të fillojë në këtë vit buxhetor, pra, një vit përpara prej shkurtit, kur Ministria e Financave e dërgon një qarkore buxhetore te të gjitha organizatat buxhetore. U jep disa limite sa vlerësohet potenciali i parasë, i buxhetit për vitin që vjen dhe i orienton si të veprojnë ose se si të përgatitin buxhetin për vitin që vjen. Pastaj janë qarkoret e tjera buxhetore dhe janë edhe konsultimet që duhet të bëhen edhe me organizatat buxhetore për projektet kapitale”, tha ai për GazetaBlic.Shatri theksoi se mungesa e qeverisë funksionale ka ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen e buxhetit për vitin 2026. Ai tha se pa një qeveri me mandat të plotë nuk ka kush të përcaktojë prioritetet zhvillimore dhe ndarjen e mjeteve.

“S’ka qeveri, s’ka prioritete, s’ka kush i përcakton. Edhe nëse strukturat e stafit civil e kryejnë punën e vet aq sa munden teknikisht me kry dhe me përgatitë shifra, nuk do të ketë aty elemente të shifrave zhvillimore. Ata nuk dinë, nuk janë kompetentë me i përcaktu ato. Duhet të jetë një ministër me kompetencë të plotë, një kryeministër, një qeveri që i orienton, i përcakton prioritetet zhvillimore për vitin që vjen dhe i ndan edhe mjetet pastaj për me i realizu ato prioritete. Tash s’ka kush i bën ato, as teknikisht, as politikisht nuk funksionon asgjë. Komunat duhet të dërgojnë me 30 shtator në qeveri buxhetet komunale në mënyrë që ato të inkorporohen në buxhetin e përbashkët, në buxhetin e konsoliduar të Kosovës, i cili deri më 30 tetor duhet të përgatitet, të aprovohet në qeveri dhe të dërgohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim në një periudhë 2 mujore, që të lihet kohë mes dy leximeve komisioneve, edhe komisioneve themelore, edhe komisioneve të veçanta që t’i diskutojnë ato programe, ato prioritete dhe t’i rekomandojnë Kuvendit me amendamente për lexim të dytë. Dhe kjo duhet të ndodhë para 31 dhjetorit të këtij viti për vitin e ardhshëm”, theksoi ai.Tutje, Shatri paralajmëroi se nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 31 dhjetor, atëherë nuk do të ketë mundësi ligjore për miratimin e buxhetit të ri. Sipas tij, kjo do ta çojë vendin drejt bllokimit total financiar, duke rrezikuar pagesat për paga, pensione dhe shërbime publike bazike.

“Në qoftë se nuk do të ketë konstituim të Kuvendit, rrjedhimisht as qeveri të re, atëherë nuk ka kujt t’i dërgohet dokumenti i buxhetit për shqyrtim dhe miratim. Qeveria në këtë gjendje nuk ka kompetencë me marrë vendime. Çfarë është vendimi për buxhetin për vitin e ardhshëm? Nuk është kompetente. Qeveria tash ka kompetenca të limituara vetëm për t’i realizuar ato vendime të cilat janë marrë kur ka qenë e plotfuqishme qeveria dhe që kanë efekte në vazhdim, por jo me marrë vendim të ri për një vit të ri buxhetor, ose edhe vendime të tjera jashtë buxhetit, por që kanë efekte në të ardhmen. Pra, kjo qeveri, në këtë status që e ka tash, nuk ka të drejtë me marrë vendim për miratimin e buxhetit dhe për dërgimin e saj në Kuvend, edhe pse s’ka Kuvend, s’ka ku me dërgu. Rrjedhimisht, nuk do të kemi buxhet që do të shkojë si dokument, edhe s’ka kush me e diskutu në Kuvend, edhe s’ka kush me e miratu. Në këtë situatë, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e parasheh një zgjidhje, dhe ajo zgjidhje është: në qoftë se nuk aprovohet buxheti deri më 31 dhjetor, atëherë mundësia është me vazhdu me 1/12-ën është mesatarja mujore e këtij viti për vitin e ardhshëm, pra vetëm për shpenzimet rrjedhëse për paga, për pensione, për shpenzime rutinore që janë, e jo për projektet e reja, sepse projektet e reja nuk përsëriten, ato që janë realizu këtë vit. Për me kalu në këtë formë të buxhetit për janar edhe për shkurt duhet vendimi i Kuvendit. E në qoftë se s’ka Kuvend, kush e merr atë vendim? S’ka kush e merr. Dhe rrjedhimisht del që prej 1 janarit, në qoftë se vazhdon kështu, do t’i vihet dryni shtetit, nuk ka me pasë as pensione, as paga për sektorin publik, as shpenzime për rend edhe siguri, as për ushtri, as për kurgjo. Praktikisht jemi duke shku në atë drejtim”, përfundon ish ministri Haki Shatri.

Të ngjashme

Të fundit