16.1 C
New York
Friday, October 18, 2024

Buy now

Mosintegrimi i serbëve vendorë është ç’integrim i sistemit qeverisës të Kosovës

- Advertisement -

Shkruan: Besa Ismaili

Menaxhimi i konflikt eve është pjesë e rëndësishme e politikave qeveritare. Shteti duhet përqëndruar në mekanizma institucional që posedon e që përfshijnë organe të specializuara dhe strategji kombëtare, për të nxitur bashkëpunime dhe zhvilluar dialog ndërkulturor, ndëretnik dhe ndërfetar brenda vendit.

Edhe pse qeveria, në veçanti kryeministri Kurti i cili dikur pionerizonte me kauzën e dialogun ndëretnik në kuadër KAN-it si lider i tij, janë të vetëdijshëm për këto mekanizma dhe përgjegjësi, ata nuk i kanë përdorur ato në mënyrë efektive gjatë mandatit të tyre qeverisës.

Shtrirja dhe mënyra se si funksionon shoqëria civile, në masë të madhe varet nga vullneti i pushtetit, shtetit. Sa më shumë tipare demokratike të ketë shteti, aq më shumë opsione dhe opinione zhvillohen brenda shoqërisë.

Me ardhjen në pushtet të LVV, akterë të shoqërisë civile që kishin ndihmuar kauzat për një ‘qeverisje reformatore dhe të pakorruptuar’ sot ankohen për mungesë të opsioneve, menaxhim korruptiv të mbështetjes për shoqëri civile dhe një qeverisje gjithnjë e më autoritare që kanë kufizuar dhe komplikuar tej mase aktivitetet e shoqërisë civile.

Se dialogimi është puna kryesore e liderit, kjo gjë dihet dhe për KM Kurti ‘dialogu me serbët lokal’ ishte pjesë e retorikës së tij. Por ajo çfarë ndodhi më pas është se ai nuk e ushtroi fare përgjegjësinë e tij për këtë dialog.
Sot dhe jo më vonë, Kurti duhet të korrigjohet dhe të vë dialogun si mision jetik shtetëror.

Sepse kryeministri Kurti i ka dy tri vetëdijësime më shumë sot nga që i kishte dje, me gjithë çfarë ndodhi në veri. E ajo është që miqtë e Kosovës ishin hapa vit-drite më përpara sesa skenari i Vuçiqit dhe i Serbisë, duke parandaluar një skenar potencialisht katastrofal, jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë.

Serbia ka plot dy vite ishte përgatitur për të krijuar realitete të reja alla Donbas në veri, që përmes dhunës dhe formacioneve ushtarake t’i imponojë ato realitete dhe t’i faktorizojë të njëjtat për pazare me bashkësinë ndërkombëtare.
Miqtë perëndimorë të Kosovës i ç’montuan ato në një mënyrë mahnitëse, për të cilat qartazi Albin Kurti mësoi, kur mësoi edhe çdo qytetar tjetër i Kosovës.

Të tjerat janë të njohura për opinionin: Serbia më pas takon zyrtarë rusë dhe strukturat politike të lidhura me Vuçiqin shpallin ditë zie për terroristët. Me Kosovën për policin e rënë gjatë sulmit terrorist, solidarizohet gjithë bota demokratike që njohu pavarësinë e saj dhe sovranitetin cep më cep të saj.

Ky është momenti kur kjo qeveri duhet të reflektojë dhe të përfundojë disa detyra shtëpie (më të lehta që i kanë mbetur):
– të vendosë dialog me serbët vendorë
– dhe të zbatojë marrëveshjet për të cilat garantojnë aleatët tonë se janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria ka mekanizma për të nxitur pluralizim të spektrit politik dhe civil në serbëve. Shkëputja nga ndikimi i pushtetit të Beogradit mbi ta nuk bëhet duke bërë me gisht kah Beogradi por duke zgjatur dorën e përkujdesjes institucionale ndaj komunitetit serbë në Kosovë. Nuk është e lehtë, nuk ka qenë kurrë. Por është e domosdoshme, është shërbim ndaj Republikës dhe miqve tonë strategjikë dhe për këtë dhe duhet tejkaluar veten, ngjashëm siç bënte dikur edhe ish kryeministri Thaçi. Fundja fare, kohëve të fundit, ndjehet më qartas se kurdo herë më parë, një revoltë qytetare ndaj Listës Srpska dhe pushtetarëve të Beogradit nga ana e qytetarëve serbë të Kosovës.

Për fat të keq, deri tani ne e shohim që udhëheqësia e shtetit të Kosovës flet dhe punon për integrimin e serbëve në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës aq sa flet edhe për integrimin e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian dhe familjen e kombeve të saj, dhe anasjelltas. Me fjalë tjera, flet pak dhe s’punon fare! Por, qeveria duhet të ndryshojë këtë kurs dhe diskurs, urgjentisht!

Secili, duhet të kuptojë qartë, njëherë e përgjithmonë, se mosintegrimi i serbëve vendorë është ç’integrim i sistemit qeverisës të Kosovës.

Dialogu me serbët lokal është imperativ, dhe arritja e rezultateve konkrete është shërbim dhe shpëtim për Republikën e ‘unjësuar dhe të pandashme’. Sepse ky shtet, kështu është i gatuar (Neni 1 i Kushtetutës) dhe se Kosova është demokraci, është shtet i qytetarëve të saj pa dallim etnie apo sasie, dhe me orientim të qartë evro-atlantik.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit