Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra sot në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova foli në lidhje me dështimin e djeshëm të Albin Kurtit për ta formuar Qeverinë.
Ajo u shpreh se ishin vetëm 56 vota pro kësaj përpjekje dhe sipas saj, këta numra rikonfirmuan pafuqinë politike të Kurtit.
“Ka qenë ashtu siç e kemi thënë dhe e kemi pritur prej datës së mbajtjes së zgjedhjeve, të muajit shkurt, pritshmëritë tona kanë qenë që shumica e dalë nga zgjedhjet e shkurtit e Vetëvendosjes nuk do t’i ketë numrat për ta bërë Qeverinë, ndonëse për muaj të tërë, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje janë deklaruar që i kanë numrat, ndonjëherë kanë thënë që i kanë për Qeverinë, e nuk i kanë për Kuvendin. Kjo ka qenë një sagë e deklaratave të përhershme që ndonëse kishte bllokadë, eksponentë të VV-së nuk kanë hezituar që të deklarohen në favor të votave për ta bërë Qeverinë”.
“Ishin vetëm 56 vota pro përpjekjes për ta bërë Qeverinë Kurti 3, ata numra e rikonfirmuan edhe dje pafuqinë politike të z.Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i jep fund kësaj sage të gjatë të zhvillimeve brenda Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ajo./Klankosova






