Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri njofton se AAK do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për mosekzekutimin e pagave për zyrtarët publikë.
Tahiri përmes një postimi në Facebook, thotë se Qeveria ka kaluar çdo kufi me vonesat për ekzekutimin e pagave për 80 mijë shërbyes publikë.
Ndryshe, dështimi i ekzekutimit të pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator ndodhi pas skadimit të mandatit edhe të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.
Institucionet ishin në pritje të një opinioni të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për funksionimin e administratës shtetërore.
Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka dhënë një opinion ligjor në përfundim të orarit.
Përmes opinionit, DMZP ka udhëzuar Ministrinë e Financave se si të procedohet nga nesër me ekzekutimin e pagave dhe zëvendësimin e pozitave që kanë funksionuar me ushtrues detyre.
Praktika e Qeverisë Kurti për drejtimin e administratës publike me ushtrues detyre ka çuar në dështimin e procesimit të pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale duke bllokuar kështu funksionimin e administratës.
Neni 35 i Ligji për Zyrtarët Publik tregon se askush nuk mund të caktohet ushtrues detyre më shumë se një vit.
“Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”, thuhet në paragrafin 3 të këtij ligji.