Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka reaguar pasi sot në KQZ, nuk është certifikuar Lista Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai është shprehur i shqetësuar në lidhje me këtë veprim të përfaqësuesve të partive politike në KQZ.
“Veprime të tilla kërcënojnë të shkatërrojnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, ka shkruar Hargreaves.
Ai ka thënë se shpreson që PZAP do të vlerësojë përsëri kërkesën e Listës Serbe për certifikim sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës.
Komisioni Qendror Zgjedhor, me dy vota për, dy kundër, dhe pesë abstenime nuk e ka certifikuar sot për pjesëmarrje Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Pesë abstenimet nga anëtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë abstenuar duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme se një subjekt i regjistruar është automatikisht i certifikuar.
VV votoi kundër.






