Gjykata Speciale ka publikuar në njoftim në faqen zyrtare të saj në “X” duke shkruar se gjyqtarët e Hagës sigurojnë se të drejtat e të akuzuarve respektohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndaj këtij njoftimi ka ardhë një reagim nga OVL UÇK, ku thuhet:
Mos provoni të hidhni hi syve popullit tonë me deklarata të tilla, kinse gjatë këtij procesi janë respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Populli i Kosovës e ka kuptuar shumë qartë, gjatë gjithë këtyre viteve, se sa herë janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe sa është respektuar realisht Kushtetuta e vendit tonë.
Pikërisht për këtë arsye, sot shtrojmë një pyetje të thjeshtë dhe krejt legjitime: nëse, siç po deklaroni vetë, i gjithë procesi gjyqësor është drejt përfundimit, atëherë pse bashkëluftëtarët tanë nuk lejohen ta presin verdiktin përfundimtar në shtëpitë e tyre, pranë familjeve dhe popullit të tyre?
Si mund të arsyetohet mbajtja e tyre në paraburgim të pafund, kur vetë gjykata po thotë se gjykimi është në fazën përmbyllëse?
Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje të qartë, jo deklarata formale për respektim të të drejtave.
Nuk duam asgjë më shumë se drejtësi të vërtetë dhe standarde të barabarta, ashtu siç aplikohen në çdo sistem tjetër gjyqësor demokratik.






