Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se as zyrtarët e kësaj partie e as familjarët s’kanë marrë ftesë nga organizatorët që inauguruan librin e autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger për ish-presidentin Hashim Thaçi.
Çitaku këtë e ka deklaruar me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se promovimin e librit e mësuan nga mediat.
“Sot, përmes mediave jemi njoftuar se para ca ditësh, në Tiranë, është promovuar libri që ka për kryepersonazh presidentin Hashim Thaçi, “Shtet i ri, burrë shteti modern”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger”, ka deklaruar ajo.
Sqarimi i plotë:
Sot, përmes mediave jemi njoftuar se para ca ditësh, në Tiranë, është promovuar libri që ka për kryepersonazh presidentin Hashim Thaçi, “Shtet i ri, burrë shteti modern”, i autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger.
Padyshim, ky lajm na gëzon të gjithëve, posaçërisht ne si zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, për hirë të sqarimit të opinionit, mungesa e pjesëmarrjes së zyrtarëve tanë në këtë aktivitet të vlefshëm, përtej çdo aludimi tjetër, ka të bëjë vetëm me një fakt shumë më të thjesht: As Kryetari, as Kryesia, as deputetët e Grupit Parlamentar, nuk kanë marrë ftesë apo njoftim për të qenë prezentë në këtë ngjarje. Madje as familjarë apo miq të afërm.
Ne, para se gjithash, besojmë se ka qenë një lëshim i paqëllimshëm i shtëpisë botuese “Fan Noli” dhe Qendrës për Hapje dhe Dialog COD në Shqipëri, si organizatorë të promovimit të librit në Tiranë.
Përndryshe, një ftesë e tillë do të ishte e mirëseardhur dhe gjithsesi se do të haste në një përgjigje pozitive tek secili prej nesh në PDK. Shpresojmë shumë që një ngjarje e ngjashme të organizohet së shpejti edhe nëpër qytete tjera, sepse, ky libër, mbi të gjitha, ka një vlerë të veçantë dhe meriton të shpërndahet dhe diskutohet për të gjithandej trojeve shqiptare.
Personalisht, dhe jo vetëm, po ta dinim do të shkonim edhe pa ftesë. Më herët kam pranuar rregullisht njoftime dhe ftesa nga COD. Kësaj radhe jo.
Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar gjithmonë lart rolin e mediave, kërkesat e të cilëve është munduar gjithmonë t’i trajtoj me përkushtim. I ftojmë të gjithë, edhe një herë, ata që janë të interesuar që të raportojnë për të vërtetën dhe faktet, që të na kontakojnë çdo herë që kanë ndonjë paqartësi ose u duhet ndonjë përgjigje nga ne në raport me ndonjë ngjarje, informatë apo qëndrim. Konkluzionet që nuk përkojnë me të vërtetën, nuk i sherbejnë askujt: as ne, as ju dhe as publikut.
Sinqerisht,
Vlora Çitaku