Në kuadër të përpjekjeve për mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e sigurisë në ambientet ujore, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar sot një listë rekomandimesh për të gjithë qytetarët që frekuentojnë pishinat publike gjatë sezonit të verës.
Instituti apelon për ruajtjen e higjienës personale, duke theksuar rëndësinë e dushit para hyrjes në pishinë dhe përdorimin e rrobave të përshtatshme të banjës.
Ndalohet hyrja në pishinë për personat që vuajnë nga sëmundje infektive, të lëkurës apo të traktit tretës, si dhe për ata që kanë plagë të hapura, për shkak të rrezikut të përhapjes së infeksioneve.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që theksohet në komunikatë është sjellja e përgjegjshme në ambientet e pishinës. Qytetarët këshillohen të respektojnë rregullat dhe shenjat sinjalizuese, të mbikëqyrin fëmijët në çdo moment dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme si vrapimi apo hedhjet e pakontrolluara në ujë.
IKShPK gjithashtu nënvizon ndalimin e ndotjes së ujit, duke përfshirë urinimin në pishinë, sjelljen e ushqimeve apo pijeve në zonën e ujit, si dhe përdorimin e pelenave të posaçme për fëmijët e vegjël. Të gjitha këto masa synojnë të ruajnë pastërtinë dhe sigurinë e mjedisit ujor për të gjithë përdoruesit.
Qytetarët këshillohen të frekuentojnë vetëm pishina të licencuara dhe të mirëmbajtura. Në rast se vërehen probleme si ujë i turbullt, erë e rëndë apo mungesë pastërtie, IKShPK inkurajon qytetarët të shmangin hyrjen në ujë dhe të raportojnë menjëherë rastin përmes kanaleve zyrtare.
“Respektimi i këtyre rregullave është thelbësor për të mbrojtur jo vetëm shëndetin personal, por edhe atë të komunitetit”, përfundon njoftimi i Institutit.