Javë më parë në Ferizaj janë arrestuar dy persona për spiunazh. Të arrestuarit ishin njëri ish-zyrtar i Policisë së Kosovës dhe tjetri ish-punëtor i Doganës së Kosovës, kurse i treti është arrestuar të mërkurën në Mitrovicë, i cili i dyshuari është i nacionalitetit serb – ish- polic në Kosovë.
E për këtë çështje, Nënkoloneli në Pension i Policisë së Kosovës, Refki Morina ka thënë se Prokuroria Speciale, AKI-ja, Drejtoria kundër terrorizmit duhet të vazhdojnë në argumentimin e provave në lidhje me rastet e tilla si të dyshuar për spiunazh.
I ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Morina tha se personat e tillë, nuk duhet të kyçen në institucionet e Kosovës, siç tha ai, ngase duhet të dihet për ata personat se kush janë dhe e kaluara e tyre.
“Unë mendoj se Prokuroria Speciale, AKI-ja, Drejtoria kundër terrorizmit që hynë në kuadër të Policisë së Kosovës, pas përcjelljes së disa mujore ka arrestuar edhe personin e tretë të dyshuar për spiunazh, unë mendoi që kjo veprimtari e tërësishme duhet të vazhdoj në argumentimin e provave, fakteve në lidhje me rastet e tilla si të dyshuar për spiunazh. Kemi të bëjmë me personat të cilët kanë qenë zyrtarë policor dhe të cilët kanë qenë të suspenduar edhe në rastin e rajonit të Ferizajt dhe Mitrovicës bënë që AKI-ja, drejtoria kundër terrorizmit të angazhohen ma më ngul që personat e tillë të mos kyçen në institucionet e Kosovës, ku varët siguria e vendit, duhet të dihet për ata persona se kush janë ata të kaluarën e tyre familjen “, ka deklaruar Morina.
Derisa, Morina ka shtuar se Inteligjenca serbe BIA, sipas tij nuk pushon, pasi që qëllimi i saj kryesor është destabilizimi i vendit.
Ish-koloneli theksoi se destabilizimi i vendit vjen me njerëzit të cilët i përvetëson nga brenda, duke i nxitë në konflikte etnike siç tha ai në veri.
Ai u shpreh se nuk duhet të kthehen pjesëtarët e policisë, të cilët sipas Morinës, kanë qenë të dirigjuar nga Vuçiqi dhe politika e tij, të cilët u janë bindur urdhrave të Serbisë.
“Unë mendoj që duhet të shikohet nga AKI-ja e kaluara e tyre. Inteligjenca serbe BIA nuk pushon, qëllimi i saj kryesor është destabilizimi I vendit, destabilizimi I vendit vjen me njerëzit të cilët I përvetëson nga brenda duke i nxite ata në konflikte etnike sikur në veri psh, sepse kemi pasur raste të vazhdueshme. Nuk duhet të ngutemi të kthehen pjesëtarët e policisë të cilët e kanë lëshuar për shkak se ata kanë qenë të dirigjuar nga Vuçiqi dhe politika e tij dhe janë bindur urdhrave të Serbisë, në këtë rast edhe BIA-s dhe institucioneve të Serbisë të një pushteti të cilët ata kanë marrë rrogë tek ne dhe kanë kryer veprimtari për Serbinë për një shtet fashist”, ka thënë Morina