Bruno Fernandes raportohet se ka refuzuar një “ofertë të çmendur” nga ekipi arab Al Hilal, por nuk është e garantuar se ai do të mbetet tek Manchester United.
Reprezentuesi portugez, i cili është kapiten në ‘Old Trafford’, ka marrë një kontratë luksoze nga Lindja e Mesme.
Ai thuhet tashmë se e ka refuzuar atë me qëllimin që ta vazhdojë karrierën e tij në Europë.
Fernandes dhe shokët e tij të skuadrës patën një sezon të mjerueshëm, pasi përfunduan në pozitën e 15-të në tabelën e Ligës Premier si dhe u mposhtën në finale të Ligës së Evropës nga Tottenhami.
Al-Hilal i kishte bërë një ofertë 30-vjeçarit në përpjekje për ta bindur atë që të ndjekë hapat e bashkëvendësit të tij Cristiano Ronaldo, por Fernandes nuk është i gatshëm ta marrë atë rrugëtim ende.
“Bruno Fernandes e ka refuzuar propozimin e Al-Hilal. Pavarësisht kontratës së çmendur nga klubi arab, Bruno Fernandes dëshiron të vazhdojë të luajë në Europë”.
“Kapiteni i Manchester United dëshiron të luajë në nivelin më të lartë në Europë. Vendimi është marrë”, ka shkruar Fabrizio Romano.
Ndonëse Fernandes ia ka mbyllur derën transferimit në Lindjen e Mesme, ai ka ende gjasa që t’i jap lamtumirën ‘Djajve të Kuq’.
Ai është lidhur gjithashtu me një transferim tek Real Madridi dhe Bayern Munichu, për shkak të mungesës së futbollit evropian për sezonin 2025/2026 me Unitedin.