Home Lajme Mori me vete ëndrrat kur shkoi në Londër, sot miliarderi pret në radhë për t’u qethur nga prishtinasi

Mori me vete ëndrrat kur shkoi në Londër, sot miliarderi pret në radhë për t’u qethur nga prishtinasi

0

Kryediplomati britanik, David Cameron, këtë javë ishte në vizitë në Kosovë, ku u takua me krerët e shtetit, të cilëve ua konfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.

Ai gjithashtu dëgjoi dëshmitë prekëse të anëtarëve të familjeve të të zhdukurve dhe rrëfimin e një të mbijetuare të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Mbështetjen, vlerësimin dhe interesimin për të dëgjuar rrëfimet e kosovarëve, Cameron e ka treguar edhe në vendin e tij, duke zgjedhur të qethet nga një kosovar – afarist i famshëm në Londër, dhe të bisedojë me të rreth vendit tonë.

David Cameron Valon Sadiku

“Fillimisht klient i yni u bë djali i David Cameronit dhe i ka pëlqyer shumë si shërbimi ynë, ashtu edhe lokali. Pastaj erdhi edhe Cameroni. Kemi qenë shumë miqësorë me njëri-tjetrin. Kemi folur shumë për Kosovën në atë kohë”, kujton Valon Sadiku nga Prishtina, i cili në Londër ka shkuar si student më 2008, dhe më pas ka vendosur të qëndrojë atje dhe sallonin e parë me emrin “The Groomsmith” e ka hapur në vitin 2017.

“Më pyeti prej nga jam. I erdhi shumë mirë kur i kam thënë se jam nga Kosova. Ka treguar interesim, më bënte pyetje. Më tha se kosovarët janë popull shumë i mirë. Po ashtu shtoi se i ka raportet shumë të mira me Edi Ramën”.

“I tregova që kemi vuajtur shumë si popull. E falënderova që shteti i tij na ka ndihmuar, veçanërisht Tony Blair, dhe që na kanë pranuar si refugjatë e na ndihmuan gjatë luftës”, shprehet Sadiku për Klankosova.tv, duke shtuar se politikani britanik ka qenë dy herë klient i tij dhe se gjatë asaj kohë kanë bashkëbiseduar dhe pirë kafe në lokalin e tij, i cili njihet për veçantinë që e karakterizon.

Sadiku tutje tregon se në Londër i ka hapur tre sallone dhe se ato njihen atje për enterierin më të bukur dhe për shërbimin më të mirë që e ofrojnë.

The Groomsmith” ndodhet në hyrje të Borough Market, që është një sallë tregu e cila njihet si një nga vendet më të mëdha dhe më të vjetra të ushqimit në Londër, me një objekt që daton të paktën në shekullin e 12-të.

Ky lokacion atraktiv ka ndikuar që kosovarit në lokal t’i shkojë edhe një figurë tjetër shumë e rëndësishme botërore, siç është Keith Rupert Murdoch – manjat biznesi, investitor dhe pronar mediash, që njihet edhe si personi i 31-të më i pasur në ShBA.

“Ai duke shkuar në market, e ka parë lokalin tim dhe i ka pëlqyer, e pastaj ka vazhduar të vijë tërë kohën për t’u qethur te ne. Për shtatë vjet e kemi klient të rregullt. Vizita e tij e fundit ishte para dy javësh”.

“Zyrën e ka afër lokalit. Ajo që i pëlqen shumë te ne, përveç tjerash është edhe eksperienca për të pritur në radhë, pra, që po e trajtojmë si njeri të thjeshtë”.

“Edhe Murdoch flet shumë mirë për Kosovën. E njeh situatën e luftës dhe të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet vendi ynë”, thotë Valon Sadiku për Klankosova.tv.

Zanati që fillimisht e kishte nisur në Prishtinë në lokalin “Trend” që e hapi së bashku me të vëllanë binjak Kushtrimin në lagjen Pejton në vitin 2001, po i hyn në punë për t’i zbukuruar edhe të famshmit tjerë që i ka klientë në Londër.

Në mesin e tyre janë edhe ish futbollistët Thierry Henry dhe Jamie Redknapp. Ata janë qethur nga kolegu i Valonit, dhe më pas si shenjë falënderimi kanë lënë edhe autografet e tyre në një top.

Përkrahës ndaj biznesit të prishtinasit po tregohen edhe figura publike shqiptare, siç janë futbollisti Armando Broja, ambasadori i Kosovës, Ilir Kapiti (për të cilin thotë se është klient i rregullt), familjarët e këngëtares Dua Lipa, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, etj., të cilët siç thotë Sadiku, sa herë janë në Londër, i shkojnë në lokal për ta shfrytëzuar shërbimin e tij për qethje të flokëve, dhe se kjo e bën krenar.

    

Prishtinasi që është zhvendosur në Mbretërinë e Bashkuar, tutje shprehet se gjithmonë e ka pasur ëndërr që të hapte lokalin e tij në Londër. E suksesi i treguar dhe pasioni që e ka për këtë profesion i ka ndihmuar që tashmë atje të ketë tre lokale në funksion dhe se në plan e ka që të zgjerohet edhe me sallone të flokëve për femra.

“Jam krenar për këto arritje. Le të pranojmë që është disi punë e madhe të kesh klientë të kalibrit të tillë”, thotë ai.

“The Groomsmith” e Valon Sadikut i ka 14 persona në staf, prej tyre tre shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë të komuniteteve tjera.

 

Exit mobile version