Trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, vizitoi sot kampin stërvitor të Juventusit dhe siguroi se Kenan Yildiz “ka potencial të jashtëzakonshëm dhe disa ngjashmëri” me Alessandro Del Piero.
Ish-trajneri i Romës po përgatit Turqinë për Kupën e Botës 2026, ndaj po viziton Italinë për të takuar disa nga lojtarët që mund të jenë pjesë e kombëtares.
Montella ishte sot në kampin e Continassa në Torino, si mysafir i trajnerit të Juventusit, Luciano Spalletti.
Natyrisht, ai ishte aty për të parë Kenan Yildiz, i cili sapo ka rinovuar kontratën me bardhezinjtë deri në qershor 2031.
“Jam shumë i lumtur, Kenan ishte pjesë e kombëtares që kur luante ende te Juventus Next Gen,” tha Montella për “Il Messaggero” përmes “Tuttomercatoweb”.
“Ai është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm dhe ende po zhvillohet. Kenan arrin të kombinojë talentin natyral me mentalitetin e duhur, pasi dëshiron vazhdimisht të përmirësohet. Parashikoj një të ardhme në nivelet më të larta për shumë vite.”
Në njoftimin për kontratën e re të Yildiz pati referenca për Del Pieron, idhullin e tij të deklaruar. Duke mbajtur fanellën me numrin 10, a mund të ndjekë gjurmët e legjendës te Juventusi?
“Ka disa ngjashmëri, për shembull mënyra si gjuan dhe ka shënuar disa gola shumë të ngjashëm me ata të Alexit, por për sa i përket karakteristikave të përgjithshme, janë të ndryshëm,” përfundoi Montella.






