Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se nuk ka njohje me Serbinë, por sipas tij ka vetëm llafe.
Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mungesës së “njohjes Kurti po i përgjigjet me një tjetër akrobacion gjuhësor: nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia, kemi kaluar në mosnjohje reciproke.”
Tutje ai ka thënë se “ne kemi përparim”, pasi sipas tij “as ne nuk e njohim Serbinë”.
Postimi i plotë i tij:
S’ka njohje, ka llafe
Njohjes reciproke Kurti ia pati shtuar edhe një fjalë që u pat përvetësuar prej opinionit: njohja reciproke në qendër.
Tash mungesës së njohjes Kurti po i përgjigjet me një tjetër akrobacion gjuhësor: nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia, kemi kaluar në mosnjohje reciproke. Kemi përparuar sepse tash as ne nuk e njohim Serbinë. Ne nuk jemi në OKB dhe në shumë organizata tjera ndërkombëtare. Serbia është në të gjithat.
Në Akordet e Evianit, është Franca që si kolonizatore heq dorë dhe e njeh Algjerinë, nuk flitet për njohjen e Francës nga Algjeria.
Me këtë rast, jemi që jemi, Kurti ka vendosur ta rishpikë edhe reciprocitetin. Mosnjohje reciproke – ky na qenka reciprociteti, jo ai midis shqiptarëve të Luginës dhe serbëve të Kosovës, jo ai i mallrave, tregtisë dhe politikës.