Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka quajtur skandaloz dhe të papranueshëm shkarkimin e rektorit të Universiteti të Prishtinës, Naser Sahiti.
Molliqaj në një postim në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se e gjitha kjo nuk është për tu çuditur, pasi që sipas tij është pasojë logjike e mënyrës sesi bëhen gjërat nga Qeveria aktuale.
“Nuk kërkohet pajtim rreth mënyrës se si e shohim zhvillimin e arsimit. Nuk bëhet fjalë për ndikim. Jo jo, na duhet bindje e pakushtëzuar. Dija është nyje kyçe e totalitarizmit. Pa vulën e saj shkencore s’ka autoritet t’vërtetës. Për ironi, pushtetet e tilla e shpjegojnë botën përmes përplasjes së të kundërtave, por pushteti ynë është pastaj sinteza përfundimtare. Secili rast në histori na tregon se pushteti i tillë është edhe fundi i zhvillimit dialektik i dijes”, ka shkruar Molliqaj.
Postimi i plotë i Molliqajt, pa ndërhyrje:
UNIVERSITETI NË SHENJESTËR
Shkarkimi i Rektorit Sahiti, sado skandaloz e i papranueshëm, veç çudi nuk mund të jetë. Është pasojë logjike e mënyrës sesi bëhen gjërat nga Qeveria aktuale. Nuk kërkohet pajtim rreth mënyrës se si e shohim zhvillimin e arsimit. Nuk bëhet fjalë për ndikim. Jo jo, na duhet bindje e pakushtëzuar.
Dija është nyje kyçe e totalitarizmit. Pa vulën e saj shkencore s’ka autoritet t’vërtetës. Për ironi, pushtetet e tilla e shpjegojnë botën përmes përplasjes së të kundërtave, por pushteti ynë është pastaj sinteza përfundimtare. Secili rast në histori na tregon se pushteti i tillë ështē edhe fundi i zhvillimit dialektik i dijes.
Dija, me pak guxim bëhet vatër lirie. Prandaj, aty duhet njerëz të dëgjueshëm. Me çdo kusht. Prandaj, ajo domosdoshmërisht përfundon në plagjiat. Se ku tjetër. Siç ka përfunduar.